Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në mëngjes në ndërtesën e Qeverisë të rinjtë nga Kosova dhe vendet e rajonit: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të organizuar nga RYCO në kuadër të Procesit të Berlinit të cilët marrin pjesë në Forumin Rinor e që kësaj radhe, për herë të parë, po mbahet në Prishtinë.
Në një komunikatë për medie nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shprehu kënaqësinë që Forumi Rinor po zhvillohet në Kosovë, duke e cilësuar si vendi i duhur për të rinjtë që të takohen, të zhvillojnë diskutime për të kaluarën dhe të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë.
“Ai rikujtoi progresin në kuadër të Procesit të Berlinit dhe pesë marrëveshjet rajonale të nënshkruara në tri vitet e fundit që lehtësojnë lëvizshmërinë, veçanërisht për studentët dhe punëtorët, duke veçuar ‘Marrëveshjen për Arsimin e Lartë’ dhe ‘Njohjen e Profesioneve’. Ai shprehu kënaqësinë që të rinjtë nga Bosnja dhe Hercegovina nuk kanë pasur nevojë për vizë për të ardhur në Kosovë dhe theksoi se pengesa për të rinjtë e Kosovës që të udhëtojnë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të hiqet”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Kurti theksoi përkushtimin e qeverisë për të krijuar mundësi për të rinjtë përmes arsimit publik falas, bursave dhe arsimit dual, si dhe rëndësinë e demokracisë, lirisë së medias dhe debatit të hapur. Ai inkurajoi të rinjtë të marrin pjesë në shkëmbime, aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe të mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit.
“Me mendje të hapur dhe gatishmëri për të dëgjuar, mund t’i përballoni edhe debatet më të vështira dhe prapë të gjeni pika të përbashkëta” tha ai, duke u uruar forum produktiv dhe qëndrim të këndshëm në Prishtinë.
Të tjera
Interi dhe Milani mund të festojnë, jepet drita jeshile për shitjen e stadiumit “San Siro”
Sonte tri ndeshje super interesante në Champions League
Kosova përfaqësohet në panairin më të madh të mbrojtjes dhe sigurisë në botë – DSEI UK 2025