Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Hudson Institute në New York me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – SHBA në mbrojtje dhe zhvillim”.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara, duke rikujtuar rolin vendimtar të NATO-s në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës. Ai nënvizoi se Kosova sot nuk është vetëm një vend pas-konflikti, por një aleat i besuar dhe kontribues në siguri.
“Gjatë katër viteve të fundit, mbi një mijë pjesëtarë të FSK-së janë trajnuar në programe amerikane. Një njësi e FSK-së ka marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Kuvajt, ndërsa Kosova ka qenë nikoqire e tri ushtrimeve ‘Defender Europe’,” tha Kurti.
Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të tij, buxheti i mbrojtjes është katërfishuar, duke përfshirë blerje të reja si sistemet anti-tank Javelin, dronë, automjete të blinduara dhe armë moderne. Po ashtu, vazhdojnë diskutimet për blerjen e helikopterëve Black Hawk.
Në aspektin ekonomik, Kurti përmendi marrëveshjen me MCC prej mbi 200 milionë dollarësh për modernizimin e sektorit energjetik, si dhe heqjen e tarifave të importit për mallrat amerikane. Ai theksoi se Kosova është partner zhvillimi dhe jo vetëm përfitues i ndihmës ndërkombëtare.
Në planin rajonal, kryeministri në detyrë paralajmëroi për ndikimin destabilizues të Serbisë dhe Rusisë:
“Një fitore e Rusisë në Ukrainë do të inkurajonte ambiciet revizioniste të Serbisë në Mal të Zi, Bosnjë dhe Kosovë. Në këtë kontekst, Kosova është vijë e parë mbrojtëse kundër ndikimit keqdashës.”



Të tjera
Përdorni birrë për shkëlqimin e flokëve dhe lëkurës
Gratë që përdorin antibiotikë më të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës
Duhet apo jo ta ruash bukën në frigorifer?