Kurti në Paris flet për rëndësinë e anëtarësimit në BE e NATO

Kurti në Paris flet për rëndësinë e anëtarësimit në BE e NATO

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në kryeqytetin francez, ka folur për angazhimin dhe rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian e NATO.

 

Këto deklarime, siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, kreu në detyrë i ekzekutivit i ka bërë në cilësinë e të ftuarit të nderit në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, me praninë e shumë personaliteteve të larta të hallkave diplomatike, politike dhe ekonomike të Francës.

“Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës”, citon njoftimi qeveritar fjalimin e kryeministri në detyrë.

Tutje, qeveria thotë se Kurti atje ka folur edhe për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike në avancimin e mëtejmë të shoqërive dhe në përballje me sfidat.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot merr pjesë në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, forum ky që mbledh liderë nga e gjithë bota.