Kurti: Në pesë vitet e fundit Kosova ka shënuar një përparim të madh në të drejtat e njeriu!

Kurti: Në pesë vitet e fundit Kosova ka shënuar një përparim të madh në të drejtat e njeriu!

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti dhe bashkëbisedoi me studentë ndërkombëtarë të programit evropian të masterit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA).

Para studentëve, ai u shpreh se Kosova është vend ideal për të mësuar në praktikë rreth të drejtave të njeriut, për shkak se vendi ynë është lider në rajon kur bëhet fjala për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Ai shtoi se në pesë vitet e fundit, Kosova ka shënuar një përparim të madh në të drejtat e njeriut dhe demokratizim, siç konfirmohet edhe nga raportet dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Ai theksoi se kjo është koha më e mirë për të studiuar të drejtat e njeriut, sepse fusha e të drejtave të njeriut, si në teori ashtu edhe në praktikë është në një pikë vendimtare, raporton “Gazeta Blic”.

Për të ruajtur rëndësinë e tyre, të drejtat e njeriut duhet të përshtaten me një botë që po ndryshon me shpejtësi, shtoi më tej. Ai veçoi rritjen e pabarazisë socioekonomike, ngrohjen globale dhe rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale, si tri nga sfidat të rëndësishme, e që të tria kanë shumë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Kurti, kishte marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të programit evropian të masterit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA), në vitin 2024, ku ishte i ftuar si folës kyç. Ceremonia në të cilën diplomuan 82 studentë nga 32 shtete u mbajt në ndërtesën historike Scuola Grande San Giovanni Evangelista në Venecia të Italisë. Studentë të programit (EMA) për më shumë se dy dekada rresht kanë vizituar Kosovën në fund të semestrit të tyre të parë, për të parë nga afër realitetin e punës në terren për të drejtat e njeriut dhe gamën e gjerë të akterëve që u kërkohet të rindërtojnë shoqërinë pas luftës.