Kurti pret austriakët në krye me politikanin Hochtl e eurodeputetin Mandl

Kurti pret austriakët në krye me politikanin Hochtl e eurodeputetin Mandl

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë sot nikoqir i takimit të anëtarëve nga shoqata austriake “Forchheimer Kreis”, në krye me presidentin e kësaj shoqate, politikanin Josef Hochtl dhe eurodeputetin, Lukas Mandl, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për vizitë dyditore.

 

“Në këtë takim, kryeministri theksoi të arriturat e qeverisë përgjatë këtij mandati qeveritar, ku veçoi rritjen ekonomike me mesatare prej 6% në katër vitet e fundit, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, rritjen e punësimit, trefishimin e buxhetit për mbrojtje”, thuhet në njoftimin qeveritar rreth këtij takimi.

Sipas qeverisë, këto arritje tregojnë se ka demokraci të konsoliduar, me politika që po funksionojnë, të cilat, ekzekutivi thotë se janë të përqendruara në drejtësi sociale, transparencë, sundim të ligjit dhe mundësi për të gjithë.

Tutje, në njoftimi ne kryeministrisë për këtë takim, bëhet e ditur se Kurti ka përmendur renditjen e lartë që ka pasur Kosova në raportet e Gallup dhe Henley.

“Kryeministri shtoi se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta për të jetuar dhe investuar në të gjithë Evropën sipas Gallup dhe Henley, e gjithashtu, shteti ynë po vlerësohet ndërkombëtarisht si reformatorja më e shpejtë në sundimin e ligjit dhe demokracinë në rajonin tonë. Këto janë një pasqyrim i një shoqërie që beson në drejtësi e gjithëpërfshirje dhe i një qeverie që nuk e lë askënd prapa”, ka bërë të ditur Zyra për Kryeministrit.

Thuhet se aty u diskutua më gjerësisht mbi situatën në rajon, sigurinë, investimet në infrastrukturë dhe reformat në administratën publike. “Kryeministri i uroi anëtarëve të shoqatës qëndrim të mbarë e produktiv në këtë vizitë dyditore në vendin tonë, gjersa theksoi se lidhjet tona historike, afërsia kulturore dhe vlerat tona të përbashkëta e bëjnë Austrinë një nga partnerët tanë më të ngushtë”, përfundon njoftimi i qeverisë.