Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, mirëpritën në ndërtesën e qeverisë një delegacion të Odës Ekonomike të Gjenevës, të drejtuar nga Kryetari i saj, Vincent Subilia, e të përbërë nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, si arkitektura, menaxhimi i aseteve, pasuritë e paluajtshme, industria ushqimore, energjia dhe shërbimet juridike.
Gjatë takimit, anëtarët e Odës Ekonomike të Gjenevës u njoftuan për trendet ekonomike në Kosovë dhe performancën makroekonomike të vendit. Nga kryeministri Kurti dhe ministri Murati u theksua se gjatë katër viteve të fundit ekonomia ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej 6% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti rritja ka qenë 3.6%. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit u informuan gjithashtu se Kosova ka marrë për herë të parë një vlerësim kreditor sovran nga agjencia Fitch Ratings me notën BB-, e cila është rikonfirmuar edhe në vitin 2024. Me tej, u njoftuan edhe me karakteristikat dhe përparësitë e vendit tonë për investime të huaja si kostoja e ulëta operative, mosha e re e popullatës, aftësia e fuqisë punëtore për të folur shumë gjuhë, sidomos anglisht dhe gjermanisht, dhe shkathtësitë në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.
Pjesë e diskutimit ishte po ashtu roli i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit, ku diaspora u paraqit potencial për investime në sektorin e prodhimit, përmirësimin e eksporteve dhe forcimin e brendit kombëtar.
Në fund të takimit, u diskutuan mundësi të mëtejshme për bashkëpunim konkret ekonomik dhe përfshirja e bizneseve anëtare të Odës Ekonomike të Gjenevës në sektorë të caktuar në Kosovë.



Të tjera
Si të dalloni kur ushqimet në restorant nuk janë të freskëta
Nga tetori deri në mars e domosdoshme vitamina D
“Rrjetet sociale nuk çojnë drejt degradimit të gjuhës”