Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Lëvizjes “Arbëria” nga Maqedonia e Veriut. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe deputetët Avni Dehari dhe Arijeta Rexhepi.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Palët biseduan për përfaqësimin politik të shqiptarëve në këtë shtet dhe sfidat me të cilat përballen, duke theksuar nevojën për bashkim, vizion dhe qëndrueshmëri në adresimin dhe tejkalimin e këtyre sfidave.
U vu theksi edhe tek roli dhe rëndësia e mërgatës shqiptare, e cila u vlerësua si një forcë e madhe dhe një urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Në këtë drejtim, u diskutua edhe për nevojën që kjo energji dhe potencial të kanalizohet drejt forcimit të faktorit politik shqiptar dhe përmirësimit të pozitës së tyre në të gjitha nivelet.
Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lëvizjes “Arbëria”. Ky bashkëpunim shihet si një hap konkret në funksion të forcimit të zërit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe avancimit të të drejtave të tyre në çdo nivel institucional.
Takimi u vlerësua si dëshmi e përkushtimit të përbashkët që shqiptarët, kudo që janë, të kenë përfaqësim dinjitoz, politikë të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë frymë, u theksua rëndësia e ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbi vlera të përbashkëta dhe jo mbi interesa afatshkurtra.



Të tjera
Gjashtë mënyra të thjeshta për të pastruar trupin nga toksinat
Zbuloni ushqimet që ju mbrojnë nga i ftohti kur lëkura bëhet e thatë gjatë dimrit
Kafeina krijon varësi të rrezikshme, ja çfarë i ndodh organizmit nëse hiqni dorë prej saj