Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti dje në takim Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Elmi Berisha.
Në këtë takim miqësor, u vlerësua lart roli historik dhe kontributi i çmueshëm i Shoqatës VATRA për çështjen shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli, me theks të veçantë në mbështetjen për lirinë e popullit dhe pavarësinë e Kosovës.
“VATRA ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e mbajtur gjallë çështjen e Kosovës në momentet më të vështira, dhe duke ndihmuar në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe politikës amerikane për të drejtën tonë për liri dhe pavarësi”,thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të shoqatës VATRA dhe rëndësinë që ajo vazhdon të ketë në fuqizimin e lidhjeve me diasporën dhe të shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkë diskutuan për mënyrat dhe mundësitë që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vendit dhe shoqatës e diasporës sonë në Amerikë të rritet e thellohet më tej në shërbim të interesave të Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar.
Të tjera
Jahjaga takon presidentin Obama në ShBA, kërkon mbështetje për Kosovën
Kosova duhet të jetë pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut
Kosova me ngritje sensacionale në renditjen e FIFA-s pasi mposhti Suedinë