Shkruan: Besa Nuredini
Historia e shqiptarëve në Ballkan është plot me raste kur trojet e tyre janë përdorur si monedhë për pazaret e fuqive të mëdha. Që nga Kongresi i Londrës, ku tokat shqiptare iu dhanë fqinjëve për të kënaqur Serbinë, Malin e Zi, Greqinë e Bullgarinë, e deri te Rambujeja ku shqiptarët u detyruan të pranonin kushte të rënda për të mos u shfarosur, gjithmonë ka qenë e qartë se nuk vendosnin shqiptarët për fatin e tyre, por të huajt.
Edhe atëherë, Hashim Thaçi u vendos si nënshkrues i marrëveshjes jo se kishte mbështetje të gjerë, por sepse ishte më i pranueshëm për perëndimorët që kërkonin një firmë për të legjitimuar ndërhyrjen.
Sot po bëjnë bujë deklaratat e James Rubin se Ramush Haradinaj ka qenë në kontakte me CIA-n. Kjo nuk është asgjë e re, sepse dihet se edhe Sllobodan Millosheviqi, njeriu që ndërtoi spastrimin etnik, në një periudhë ka bashkëpunuar me të njëjtën agjenci amerikane.
Për fuqitë e mëdha nuk ka pasur as miq e as armiq të përhershëm, por vetëm vegla të përkohshme për t’i përdorur sa herë ka pasur nevojë. Në këtë dritë, mburrja e Haradinajt se ka qenë “njeri i CIA-s” nuk është ndonjë medalje patriotizmi, por dëshmi e një modeli ku liderët shqiptarë janë mësuar të marrin pushtet duke u nënshtruar dhe duke bërë shërbime për të huajt, shpesh edhe në kurriz të interesave të vendit.
Dhe pikërisht këtu hyn në lojë Albin Kurti, i cili duket si anomali në gjithë këtë skemë. Ai është i vetmi udhëheqës shqiptar në dekadat e fundit që ka refuzuar të ulet në “tryezat suedeze”, aty ku gjithmonë kërkohej që shqiptarët të jepnin tokë, sovranitet ose dinjitet në këmbim të një fotografie me ndërkombëtarët.
Kurti nuk i sheh Amerikën dhe Evropën si “pronarë” të Kosovës, por si partnerë që duhet ta respektojnë vendin dhe ta trajtojnë në mënyrë të barabartë. Kjo është arsyeja pse ai shihet si i padëgjueshëm, pse kritikohet dhe pse shpesh i bëhet presion. Sepse ai nuk pranon të japë koncesione për pushtet personal, por këmbëngul që vendimet të jenë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Edhe dërgimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë nuk është i shkëputur nga kjo logjikë. Proceset ndaj Thaçit e të tjerëve mund të shihen edhe si një kartë politike për ta dobësuar Kosovën nga brenda. Sot madje dëgjohen skenarë se Thaçi mund të rikthehet i pafajshëm, për ta përdorur si kundërpeshë ndaj Kurtit. Kjo tregon qartë se Haga nuk ka qenë vetëm gjykatë, por edhe mjet politik në duart e fuqive të mëdha.
Ngjarjet e Banjskës u interpretuan si lojë e Serbisë me mbështetje ruse, por duke ditur historinë e dyfishtë të lojërave të shërbimeve sekrete në Ballkan, nuk përjashtohet që aty të ketë pasur më shumë se sa shihet në sipërfaqe.
Në fund, e gjithë kjo nuk është thjesht një krizë mes Albin Kurtit dhe Amerikës. Është një përplasje mes një tradite të gjatë nënshtrimi ku liderët shqiptarë shërbenin për interesat e huaja dhe një tentative të re për pavarësi reale politike që po përpiqet ta mishërojë Kurti. Për herë të parë pas shumë dekadash, dikush po thotë “jo”, nuk japim më tokë e dinjitet për të rehatuar të tjerë. Dhe ky mesazh, edhe pse i vështirë, është ai që i jep kuptim vërtetësisë së shtetit të Kosovës.
Të tjera
Kosova qëndronte më mirë se Shri Lanka
Vazhdimi i paraburgimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së bie ndesh me standardet ndërkombëtare
SHBA-ja vendos veto ndaj projekt-rezolutës së KS-OKB-së që kërkon armëpushim dhe qasje të plotë në ndihmë për Ga*zën