Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e punëtorisë me të gjithë inspektorët e arsimit me temë “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Në fjalën hyrëse, Kurti tha se është kënaqësi të jetë në mesin e profesionistëve që mbikëqyrin cilësinë e arsimit tonë, që ruajnë standardin dhe ndihmojnë përmirësimin e mëtejmë, për të vlerësuar përpjekjet për ngritjen e cilësisë në arsim, edhe për të rikonfirmuar që arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet qeveritar e shtetëror i yni.
Ai ka kujtuar se për një periudhë të gjatë kohore, Inspektorati i Arsimit ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë, numër ky siç tha kryeministri, nuk përkon as afër me numrin e institucioneve arsimore, kopshteve e çerdheve.
“Megjithëkëtë, edhe përballë këtij realiteti sfidues, me përkushtim, ju keni mbajtur funksionimin e një prej mekanizmave më të rëndësishëm të sistemit arsimor. E për këtë, ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time, të gjithëve, secilës e secilit”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për forcimin e kapaciteteve të inspektoratit arsimor nuk janë ndalur asnjëherë. Si rezultat i këtij angazhimi, ai theksoi se kemi pranuar 22 inspektorë të rinj që do t’i japin sistemit tonë arsimor më shumë mbështetje dhe prani në terren.
Më tej, kryeministri tha se gjatë këtyre viteve kemi investuar në mënyrë të vazhdueshme dhe strategjike në sektorin e arsimit, në ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe çerdheve, në pajisjen e tyre me infrastrukturë moderne dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, duke krijuar kështu kushte më të mira, që shkollat të ofrojnë cilësi, përgatitje të lartë dhe mirëqenie për çdo nxënës.
“Të gjitha këto investime janë edhe në favor të punës suaj si Inspektorat i Arsimit. Sa më i fortë të jetë themeli i sistemit arsimor, aq më e lehtë bëhet puna e inspektimit dhe aq më pak ndërhyrje do të jenë të nevojshme. Kur standardet ngrihen dhe kushtet përmirësohen, kontrolli shndërrohet në partneritet dhe mbikëqyrja bëhet garanci si për cilësi ashtu edhe për efikasitet”, tha ai.
Duke nënvizuar se inspektimi nuk është detyrë e lehtë, por një mision fisnik që kërkon profesionalizëm, ndershmëri dhe përgjegjësi, kryeministri theksoi mbështetjen e Qeverisë me trajnime cilësore, me përmirësim të kushteve të punës dhe me vlerësimin që e meritoni.
“E konsiderojmë si arritje shumë të rëndësishme rritjen e numrit të inspektorëve në gjithë sektorët e Inspektoratit të Arsimit në Republikën e Kosovës. Nga 25 inspektorë sa ishin gjithsej në Republikën e Kosovës, tani pothuajse kemi arritur ta dyfishojmë atë numër, duke arritur në 47 dhe si Qeveri kemi ndarë buxhetin dhe kemi bërë planifikimet për punësimin edhe të 20 inspektorëve të rinj”, tha ministrja Nagavci.



Të tjera
Newcastle befason Chelsean, shënon golin e epërsisë
Dieta e janarit, 10 ndryshime që duhet të bëni në fillim të vitit
23-vjeçarja arrestohet në Serbi, pritet ekstradimi në Shqipë