Kusari Lila pranon detyrën e ministres

Kusari Lila pranon detyrën e ministres

Pas pesë vitesh në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ministrja në largim, Rozeta Hajdari, ka dorëzuar zyrtarisht detyrën te ministrja e re, Mimoza Kusari Lila, përcjell KosovaPost.

Hajdari bëri të ditur se gjatë dorëzimit të mandatit e ka njoftuar pasuesen për progresin e arritur dhe proceset që janë në vijim në kuadër të politikëbërjes dhe zbatimit në këtë ministri.

“Pas pesë vitesh punë të përkushtuar në drejtimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sot dorëzova mandatin te znj. Mimoza Kusari Lila. Me këtë rast, i urova suksese dhe mbarësi në përgjegjësinë e re”, ka deklaruar Hajdari.

Ministrja në largim ka shprehur falënderime për stafin dhe bashkëpunëtorët institucionalë e ndërkombëtarë, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë kyçe për rezultatet e arritura.

“Së bashku kemi avancuar përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, zhvillimin e potencialit industrial, nxitjen e investimeve të qëndrueshme, forcimin e konkurrencës dhe zgjerimin e tregtisë së jashtme”, thuhet në deklaratën e saj.

Ajo shtoi se puna e përbashkët ka vendosur themele të rëndësishme për zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe institucional.

Gjatë ditës së sotme, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, edhe Kusari Lila ka konfirmuar pranimin e detyrës së ministres.

“Pas 15 vitesh rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Sot zyrtarisht pranova detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari”, ka deklaruar Kusari Lila.

Ajo u shpreh e bindur se me përkushtim dhe energji do të vazhdohet drejt një ekonomie më të qëndrueshme.

“E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve ‘Made in Kosova’, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar”, tha ajo.

Sipas saj, fokus i veçantë do t’i kushtohet incentivizimit të bizneseve për politika miqësore me mjedisin dhe promovimit të ekonomisë qarkore.

Kusari Lila theksoi se të rinjtë janë pasuria më e çmuar e vendit dhe se sektori i inovacionit, tashmë pjesë e këtij dikasteri, do të ketë mbështetje të vazhdueshme.

“Dialogu publiko-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit. E lumtur të jem pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit tonë”, ka përfunduar ajo.