Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të konstituojnë parlamentin edhe pas tentativës së 24-të.
Kjo bllokadë e vazhdueshme po pengon formimin e institucioneve dhe nisjen e punës së qeverisë së re.
Situata mbetet e paqëndrueshme dhe rrit shqetësimet për krizë politike në vend.
Kurse, ditë më parë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një emision televiziv deklaroi se më e keqe se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës do të ishte formimi i qeverisë nga Albin Kurti.
Drenori: Ende në popull Vetëvendosja është alternativë e parë, madje larg prej alternativave të tjera
Analisti Xhavit Drenori ka komentuar zhvillimet politike duke e quajtur të qartë tashmë burimin e bllokadës.
Sipas tij, përpjekjet për të gjetur fajtorin kanë zgjatur gjatë, por tashmë është e qartë.
“Në fakt tani më u tha eksplicit ku qëndron problemi bllokadës, pra ajo që kemi trumbetuar nëpër studio televizive, por edhe në publik, për t’u gjet fajtori i bllokadës, unë besoj me titullin që në fakt e kanë citu shumica e mediave, se dëmi më i madh është qeveria sesa bllokada e tashme. Realisht, qëllim e kanë edhe partitët e ish bllokut opozitar, të mos lejohet të bëhet një qeveri Kurti, do që kur flasim për legjitimitet popullor, ne e dimë kush i ka marrë votat për të udhëheq. Pra, kjo e ka shpërfaq atë që deri në këtë faze kjo është munduar t’i fshehet publikut duke u drejtuar gishti kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje që nuk po e konstituon Kuvendin, konkretisht po e bllokon situatën.
Tutje, thotë se bllokada institucionale po përdoret nga klasa politike për qëllime të ngushta, në dëm të qytetarëve.
Ai kritikon PDK-në pas deklaratës së Tahirit, duke theksuar se rezultati i 9 shkurtit e ka përcaktuar qartë fituesin – Vetëvendosjen.
Sipas tij, nëse nuk krijohet shumicë mes VV, Nismës dhe minoriteteve, dhe as ish-blloku opozitar nuk bashkohet, atëherë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja – të cilat nuk i konvenojnë shumicës së deputetëve dhe partive të vogla, por e favorizojnë VV-në që vazhdon të mbetet alternativa e parë në popull.
“Si kastë politike, këtë bllokadë po e shfyrtëzojnë për qëllime puro politike në dëm të qytetarëve, ndërsa deklarata e zotit Tahirir e tregon drejtë realisht atë që PDK-ja synon, e që është gabim sepse 9 shkurti e ka prodhu një rezultat i cili është i pastër se kush është fituesi.
Mbesim me shpresë që të kalohet kjo situatë sepse në rast se VV, NISMA blloku i minoriteve nuk bëhet, blloku opozitar në anën tjetër nuk ka tregu gatishmëri, sidomos LDK-ja për një qeveri të ish bllokut opozitar, atëherë mbeten alternativë vetëm zgjedhjet.
Zgjedhjet, individualisht deputetëve nuk iu konvenon sepse është një garë e vështirë, në anën tjetër edhe disa subjekte mund të rrezikohen për kalimin e pragut, prandaj në çdo instalacion Lëvizjes Vetëvendosje do t’i konvenonte çfarëdo versioni sepse ende në popull Vetëvendosja është alternative e pare, madje larg prej alternativave të të tjera”, – deklaron ai.
Aliçkaj: Kritika e krerëve të partive PDK dhe AAK që kanë dalë nga lufta nuk do të thotë kritikë e heroizmit dhe luftës për liri të Adem Jasharit
Veprimtari Agim Aliçkaj thotë se Kosova po përballet me sulme të brendshme e të jashtme, ndërsa kritikon opozitën që, sipas tij, për interesa pushteti dhe urrejtje ndaj Kurtit, po bllokon institucionet dhe po e dëmton shtetin, duke u rreshtuar pa dashje në të njëjtën vijë me Serbinë dhe Rusinë.
“Kosova dardane e sulmuar nga të gjitha anët, nga jashtë dhe brenda. Është koha e fundit që kundër këtyre sulmeve ta ngrisin zërin të gjithë ata që e duan shtetin dhe kombin me zemër dhe pa hile. Posaqërisht intelektualët e pavarur dhe sta që nuk i përkasin asnjë partie, dhe janë shumë. Por edhe anëtarët e shumtë të partive politike që interesat partiake i qesin para atyre shtetërore dhe nuk kanë pjesëmarrje në korrupsion dhe punë të këqija.
Kritika e krerëve të partive PDK dhe AAK që kanë dalë nga lufta nuk do të thotë kritikë e heroizmit dhe luftës për liri të Adem Jasharit. Kritika ndaj krerëve të LDK-së nuk është kritikë e lëvizjes demokratike të Ibrahim Rugovës.
Thënia e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri, “më e keqe se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës është nëse Albin Kurti do të arrinte ta formonte Qeverinë” zbulon gjithçka. Kryesia e PDK-së e ka devijuar rrugën e demokracisë dhe ndërtimit të shtetit. Etja për pushtet, frika nga humbja e pasurisë së paligjshme dhe urrejtja ndaj KM Albin Kurti jua ka humbë arsyjen. Këtyre, fatkeqësisht iu kanë bashkangjitur edhe krerët e LDK-së dhe AAK-së.
Për katër vjet në opozitë ata nuk ja arrijtën ta gjejnë rrugën e drejtë dhe konstruktive të veprimit në shtetin e vet demokratik. Paaftësinë e tyre për të ofruar propozime dhe zgjidhje konkrete më të mira se qeveria Kurti në konfrontim me Serbinë, por as edhe në jetën politike dhe ekonomike të brëndshme e kan zëvendësuar me kundërshtim të çdo gjëje që bën Kurti e së fundi me bllokim të krijimit të institucioneve shtetërore.
Me këto qëndrime të dëmshme të pakuptueshme dhe të rrezikshme, deshën apo nuk deshën, renditen në të njëjtën anë me armiqtë e përbetuar të kombit shqiptar, Serbinë dhe Rusinë”, thekson ai.
Aliçkaj, tutje shprehet se Serbia dhe Rusia po udhëheqin sulmet ndaj Kosovës me qëllim zhdukjeje të kombit shqiptar, ndërsa Albin Kurti dhe Vjosa Osmani paraqiten si pengesa kryesore për këto plane.
Sipas tij, Lista Serbe cilësohet si dorë e zgjatur e Serbisë brenda Kosovës, dhe opozita akuzohet për lehtësimin e ndërhyrjes së saj. Paralajmërimet për destabilizim në veri marrin peshë në kontekstin e zhvillimeve aktuale. Po ashtu, përmendet edhe ndikimi negativ i Richard Grenell dhe Edi Ramës, që sipas autorit, ndajnë të njëjtin qëllim: largimin e Kurtit nga skena politike.
“Qendra e të gjitha sulmeve ndaj shtetit të Kosovës me qëllim të zhdukjes së kombit shqiptar është Serbia hegjemoniste, e udhëhequr nga regjimi kriminal dhe fashist i Aleksandër Vuçiqit dhe e mbështetur nga Rusia fashiste. Ata kanë përqendruar të gjitha forcat kundër qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, të cilët i konsiderojnë pengesë kryesore për arritjen e synimeve të tyre grabitqare në Ballkan.
Paralajmërimi i gjeneralit Ëesli Clark në Dayton, se Serbia mund ta përdorë Kosovën “si një bombë të kurdisur për t’u shfaqur në kohë të gabuar” duhet të merret shumë seriozisht. Këtë e dëshmon edhe demonstrimi provokues i maturantëve serb para disa ditësh në Mitrovicë. Bllokimi i krijimit të institucioneve të shtetit e inkurajon Serbinë për të ndërmarrë ndonjë agresion të shpejtë të papritur në veri të Kosovës.
Dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë është lista serbe. Pjesëmarrja e saj selektive në jetën demokratike të Kosovës ka vetëm një qëllim, shkatërrimin e shtetit. Kosova është i vetmi vend në botë që lejon një organizatë armiqësore të ndërhyjë në punët e shtetit. Përgjegjësinë kryesore për këtë e ka opozita, e cila nuk votoi për të penguar pjesëmarrjen e listës serbe në zgjedhje.
Lufta e tyre kundër Kosovës është shëndrruar në luftë kundër Albin Kurtit. Qëllimi i tyre kryesor është largimi permanent i tij dhe i forcave politike që janë me te nga jeta politike e Kosovës. Të njëjtin qëllim e ka edhe ish diplomati pro-serb pa pozitë zyrtare, amerikani Richard Grenell dhe kryeministri internacionalist pro-serb i Shqipërisë Edi Rama. Edhe këta i bashkon urrejtja, inati ndaj Kurtit dhe interesat personale”, potencon ai.
Në fund, ai thekson se sulmeve ndaj Kosovës, përveç Serbisë e aleatëve të saj, po u bashkohen edhe oligarkë të brendshëm, disa pasanikë shqiptarë të Amerikës dhe media të kontrolluara, që synojnë rrëzimin e Albin Kurtit për interesa të ngushta. Njëri prej tyre thuhet se është zotuar ta shpenzojë gjithë pasurinë për këtë qëllim.
Përballë kësaj vale, përmendet mbështetja e gjerë popullore që Kurti, Osmani dhe Konjufca kanë marrë në zgjedhje – si legjitimitet për të qeverisur sërish. Autori thekson se, pavarësisht gabimeve, ata nuk kanë cënuar shtetin, ndërsa bllokuesit e institucioneve paraqiten si rrezik real. Nëse kjo gjendje vazhdon, zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja.
“Sulmeve ndaj Kosovës për shkak të lidhjeve me Serbinë, urrejtjes ndaj Kurtit dhe përfitimeve ilegale ju kanë bashkangjitur edhe oligarkët e Kosovës me disa pasanikë shqiptarë të Amerikës, si dhe mediat e shitura shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe në mërgatë. Njëri prej tyre deklaron se do ta shkrijë qjithë pasurinë vetëm për ta rrëzuar kryeministrin Kurti.
Përballë të gjithëve qëndron i fortë populli shumicë i Kosovës. Ai e tregoi me 340000 vota se don të udhëhiqet edhe mëtutje nga Albin Kurti. Këtij i afrohet me vota vetëm presidentja Vjosa Osmani e cila po të hynte në zgjedhje direkte nga populli do të fitonte prapë pa asnjë problem. Kryeparlamentari Glauk Konjufca me 270000 vota. Të tjerët shumë më pakë. Këto janë fakte. Me aftësitë e tyre e meritojnë ta udhëheqin shtetin sëpaku edhe për një mandat.
Edhe ata kanë gabime, por jo të të tilla që e cenojnë ekzistencën e shtetit. Gabimet ua falë vota. Vota është e shenjtë. Votimi i fshehtë është kulmi i demokracisë. Bllokuesit e shtetit janë ata që bllokojnë dhe nuk votojnë, jo ata që votojnë. Nëse bllokuesit shfrytëzojnë mangësitë ligjore dhe nuk i lënë fituesit të qeverisin, nuk ka zgjidhje tjetër veç zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, – përfundon Aliçkaj
Të tjera
Çeku synon transformimin e kryeqytetit
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia rrisin mbrojtjen përmes blerjeve nga ShBA-ja
Gazetarja vizuale që dokumentoi Ga*zën e u vr*a në një su*lm ajror nga Iz*raeli