Kuvendi në bllokadë/ Pse jo emri i Glauk Konjfucës?

Kuvendi i Kosovës tashmë ka filluar të shënojë vetëm numra të ndryshme përpjekjesh për konstituim.

E enjta shënonte përpjekjen e 23-të, e shtuna shënoI përpjekjen e 24 e kështu me radhë, deri kur partia fituese të gjejë një koalicion bashkëqeverisës apo të shkohet në zgjedhje të reja.

Albulena Haxhiu, e propozuara e VV-së për kryetare të kuvendit nuk po arrinë t’i fitojë votat e mjaftueshme, duke u bllokuar kështu i gjithë procesi.

Partia fituese “fajin” ia lë partive opozitare, ndërsa këta të fundit nuk pranojnë ta votojnë Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që nga 15 prilli jepnin emra të tyre se kë do ta votonin nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, ndërsa ditët e fundit është shtuar edhe emri i Glauk Konjufcës.

“Ne kemi dhënë zgjidhje dhe atë realisht e kemi bërë pa asnjë kundërvlerë, s’kemi kërkuar asgjë. Kemi propozuar tre emra, Saranda Bogujevci, Shqipe Selimi dhe Glauk Konjufca. Nëse sot do të kishim ata të tre, pa asnjë kusht do t’i votonim”, shprehet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj para gazetarëve.

Glauk Konjfuca i cili e ka ushtruar pozitën e kryetarit të kuvendit për katër vite, gjatë qeverisjes Kurti II, është takuar edhe me kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limajn.

“Kemi pi kafe me Glaukun para dy dite, kemi biseduar, trajtuar. Konjufca është… më se normale të bashkëbisedojmë, të trajtojmë tema si me dale nga kjo situatë. Kemi pasë një marrëveshje gjentelmene, verbale dhe e kam thënë. E rëndësishme është që ka alternative që të bëhet një hap drejt dalje. NISMA është e gatshme që këtë marrëveshje ta bëjë me shkrim. Megjithatë unë nuk bëj dallime. Tanimë janë disa mundësi që duhet me i shfrytëzu. Me Konjufcën kemi fol për të gjitha temat”, ka thënë Limaj të enjten.

Balancat kuvendore dhe votat e mundshme

Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se Glauk Konjfuca ka ruajtur balancat politike në Kuvend, duke u treguar si figurë unifikuese.

Por, sipas Gjanajt, kandidatura e tij varet nga garancia e mbështetjes së plotë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Image

Ramadan Gjanaj

“Glauk Konjufca konsiderohet figurë konsensuale për partitë opozitare (përveç LDK-së), siç ka deklaruar AAK-ja, e cila ka shprehur gatishmëri për ta votuar atë. Kjo vjen për shkak të përvojës së tij të mëparshme si kryetar i Kuvendit në legjislaturen e kaluar, ku ai ka ruajtur balancat politike në Kuvend, duke u treguar si figurë unifikuese. Megjithatë, kandidatura e tij si kompromis varet nga garancia e mbështetjes së plotë nga Vetëvendosje. Nëse LVV-ja e mbështet fuqishëm, ky mund të jetë një test i madh dhe një shans për ta zhbllokuar ngërçin institucional në Kosovë, duke treguar fleksibilitet politik. Por, LDK-ja dhe PDK-ja duken skeptike, me LDK-në që refuzon çdo kandidat të LVV-së dhe PDK-në që kërkon figurë tjetër konsensuale, çka e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje të gjerë”, shprehet Gjanaj.

Sipas tij, këmbëngulja e LVV-së për Albulena Haxhiun mund të jetë tregues se partia fituese vështirë e ka të krijojë një qeveri të qëndrueshme dhe të fortë, ashtu siç kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë.

“Vetëvendosje këmbëngul te Albulena Haxhiu për shkak të legjitimitetit të saj si gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit dhe figurë kyçe e partisë. Albin Kurti e konsideron kandidaturën e saj çështje parimi, duke refuzuar ndryshimin e kandidatit nën presionin e opozitës. LVV-ja beson se ka mbështetje të mjaftueshme (48 vota nga LVV-ja dhe 9 nga komunitetet), por mungesa e 4 votave për shumicën (61) tregon se ajo synon të ruajë kontrollin mbi procesin, duke shmangur precedentët e kompromisit të njëanshëm. Kjo këmbëngulje mund të jetë edhe tregues se LVV-ja e ka të vështirë të krijojë një qeveri të qëndrueshme dhe të fortë, siç kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë dhe për shkak të sfidave me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme. Duke e ditur se seancat e mëparshme kanë dështuar, LVV-ja vazhdon të propozojë znj. Haxhiun, ndonëse në Kosovë zakonisht partia fituese ka të drejtën të emërojë kryetarin e Kuvendit. Megjithatë, në një sistem proporcional, emri i kryetarit të Kuvendit shpesh është pjesë e negociatave për formimin e një shumice qeverisëse”, pohon politologu.

Sipas tij, Konjufca mund të arrijë t’i marrë votat e AAK-së, por edhe Nisma.

“AAK-ja ka deklaruar hapur se mund ta votojë Konjufcën, siç u shpreh Ramush Haradinaj, i cili e përmendi si kandidat të pranueshëm krahas disa emrave të tjerë. Megjithatë, këto deklarata publike të AAK-së mund të kenë për synim më shumë përmirësimin e imazhit të saj si parti konstruktive, sesa propozimin e një zgjidhjeje konkrete, pasi nëse AAK-ja do të donte vërtet të ofronte zgjidhje, ndoshta do të kishte zgjedhur komunikim diskret me LVV-në për të negociuar. Takimi i Fatmir Limajt të Nismës me Konjufcën sugjeron se edhe Nisma mund të jetë e hapur për ta mbështetur edhe pse Fatmir Limaj e don postin e kryeparlementarit për veten e tij. Ndërkaq, PDK-ja ka refuzuar kandidaturën e Haxhiut dhe nuk ka konfirmuar mbështetje për Konjufcën, ndërsa LDK-ja ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së. Pra, AAK-ja dhe potencialisht Nisma janë më të predispozuara për ta votuar Konjufcën, por qëndrimet publike të AAK-së mund të jenë më shumë strategji për imazh sesa përpjekje për zgjidhje konkrete”, shton Gjanaj.

Rreth emrit të Glauk Konjfucës dhe propozimit të mundshëm për kryetar të kuvendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte folur javën e kaluar.

Ai u shpreh se Konjufca do të jetë ministër në Qeverinë Kurti 3.

“Jemi marrë vesh në LVV që Glauk Konjufca do të jetë anëtar i Qeverisë, në Qeverinë Kurti 3. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”- ka thënë Kurti në një intervistë në televizionin publik.

Kandidimi i Konfjucës hap rrugë afateve kushtetuese?

Ndërsa, analisti Leon Duhanaj, thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e sakrifikon Albulena Haxhiun.

Ai përmend arsyet pse insistohet drejt Haxhiut.

Image

Leon Duhanaj

“Çështja e zgjedhjes së Kryetarit, respektivisht kryetares së Kuvendit, për mendimin tim është kauza e rrejshme e këtij procesi bllokues ndaj Kosovës. Ajo për çfarë edhe bëhet fjalë, realisht është mungesa e numrave, që Kurti ta bëjë qeverinë. Ai në fakt i ka votat, nga Lista Serbska, por përpjekja e tij është që ketë ta bëjë pa e kuptuar askush, prandaj kërkon edhe votim të fshehtë. Në fakt, kështu ka bashkëpunuar me Listen Serbe edhe përgjatë qeverisë së tij katër vjeçare. Tani po e sakrifikon znj. Albulena Haxhiu për dy arsye: Nën 1, sepse e ka ditë që do të kundërshtohet, në mënyrë që kjo t’i shërbejë bllokadës, pa u konsumuar gara e drejtpërdrejtë e Kurtit për postin e Kryeministrit. Nën 2, sepse me zgjedhjen eventuale të Albulena Haxhiut Kurti do të kishte një lloj kamikazi politik në krye të Kuvendit, përmes së cilës do ta kontrollonte çdo proces, ose do ta sabotonte atë”, deklaron Duhanaj.

Sipas tij, Konjufca do t’i hapte rrugë afateve kushtetuese dhe do të ishte njeri unifikues në krye të kuvendit, por Kurtit kjo nuk do t’i pëlqente.

“Z. Konjufca në anën tjetër, edhe përkundër faktit që i njëjti vazhdimisht e shtrinë qafën karshi ndikimit të Kurtit, megjithatë mundohet me qenë i balancuar politikisht, e çka është më rëndësi Konjufca ka kulturë të lartë debati dhe është i vetmi zyrtar i VV-së, i cili edhe përkundër karrierës së gjatë në një subjekt ku kriter i avancimit është destruktiviteti, polemika dhe fyerjet e shfrenuara, asnjëherë nuk ka rënë preh e kësaj manie. Prandaj konsideroj që z. Konjufca do të ishte njeri unifikues në krye të kuvendit dhe kandidimit i tij do t’i garantonte VV-së vota të mjaftueshme. Por, kjo gjë nuk i pëlqen Kurtit, për dy arsye: 1. Sepse zgjedhja e z. Konjufca, do t’u hapte rrugë afateve kushtetuese, me ç’rast edhe fillimit të rënies përkatësisht fundit të dominimit politik të Kurtit, pasi i njëjti nuk i ka votat për të bërë qeverinë Kurti 3. Dhe nën 2. Sepse me ketë rast, z. Konjufca do të bëhej i rrezikshëm dhe vështirë i kontrollueshëm për Kurtin, sidomos në ketë situatë të rënies së mbështetjes për të.

Pra Kurti, nuk e ka hallin as të Albulena Haxhiut, as të Konjufcës e aq me pak të Kosovës. Kurti e ka hallin e pushtetit absolut të tij, të cilin mundohet ta mbaj veç vetë pa e ndarë me askënd. Prandaj edhe nuk kërkon bashkëpunim të sinqertë politik, por synon të blej individ, për t’i nënshtruar. E tërë kjo është në kundërshtim dhe dëmton rëndë interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve, me çka Kurti edhe ka abuzuar vite me radhë, për t’i dëmtuar pa mëshirë. Është për keqardhje që akoma ka shqiptarë që e trajtojnë si njeri të duhur dhe i besojnë, duke u bërë bashkë shkaktarë dhe bashkëfajtor në fatkeqësinë e Kosovës”, shton Duhanaj.