“Ky është plani i Albin Kurtit për të dalë nga ngërҫi politik, po e pret edhe mërgatën”

Edhe në seancën e sotme, Kuvendi dështoi drejtë konsistuimit të tij. Deputetët përmbyllen seancën e së shuntës brenda pak minutash, ngjashëm sikurse 23 seancat e mëparshme.

Kësisoj, ngërҫi politik në Kosovë po vazhdon edhe gati pas 4 muajsh që kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare, më 9 shkurt.

Pozita ka propozuar si kandidate për kryetare të kuvendit, ish Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, derisa opozita refuzon ta votoj si të tillë. Mbi këtë arsyetim, Kosova ende në krizë politike, pa institucione të reja.

A kanë mbetur zgjedhjet si opsioni i fundit për të dalë nga kjo situatë?

Image

Nexhat Bexheti

“Duhet kujtuar se Belgjika ka funksionuar për më shumë se një vit e gjysmë pa qeveri. Në rastin e Kosovës, institucionet janë ende funksionale, qeveria është në detyrë dhe nuk ka shenja të ndërprerjes së funksionimit të shtetit. Edhe pse Serbia grumbullon trupa ushtarake dhe armatim në kufi me Kosovën, kjo nuk përbën një kërcënim serioz dhe nuk duhet të shkaktojë panik. Në skenën politike të vendit mbizotëron bindja se do të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. Ka gjasa që kjo të ndodhë, ndonëse do të rëndonte më tej buxhetin tashmë të brishtë të Kosovës. Këto zgjedhje pritet të jenë enigmatike dhe të paparashikueshme në rezultat. Arsyeja kryesore është pakënaqësia në rritje e qytetarëve me odisejadën e konstituimit të Parlamentit. Zhgënjimi është i dukshëm, jo vetëm te qytetarët, por edhe në mesin e gazetarëve, opinionistëve e shoqërisë civile. Në rast të zgjedhjeve të reja, partitë politike do të jenë të detyruara të ndryshojnë qasjen dhe strukturën organizative, pasi rezultatet e fundit treguan se asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën absolute”, vlerëson ai.

Sipas tij, për këtë arsye, partitë si LVV, LDK, PDK, AAK dhe NISMA duhet të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e një koalicioni parazgjedhor. Përndryshe, rezultati mund të jetë i njëjtë me atë aktual.

“Asnjëra parti nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të fituar në mënyrë absolute. Zhgënjimi i tanishëm mund të ndikojë në motivimin e votuesve, duke sjellë rënie të pjesëmarrjes dhe rrezik për partitë e vogla që të mos e kalojnë pragun zgjedhor”, thekson ai.

Analisti Bexheti këtë situatë madje e sheh si një plan të mundshëm të kryeministrit Albin Kurti.

“Ndërkombëtarët mund të ndërhyjnë më vendosmërisht, duke kërkuar nga partitë politike të arrijnë marrëveshje për konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë. Evropa nuk e favorizon një cikël tjetër zgjedhor në Kosovë, veçanërisht në kohën kur vetë po përballet me kriza të ndryshme. Jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë. Ato nuk janë zgjidhja e vetme. Kosova ka nevojë urgjente për të rifunksionalizuar institucionet. Partitë politike duhet të tejkalojnë kapricot, inatet dhe hakmarrjet parazgjedhore. Çdo riciklim zgjedhor rrezikon të prodhojë një rezultat të njëjtë. Nuk duhet të ushqehen iluzione të rreme – asnjëra parti nuk është superiore dhe nuk do të arrijë rezultat absolut”, vlerëson analisti Bexheti.