Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, përmendet në dosjet e ndërlidhura me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Gjukanoviq përmendet në mesazhet që Epstein thuhet se ka shkëmbyer me politikanin sllovak, Mirosllav Lajçak, ka raportuar media malazeze “Vijesti”, transmeton Klankosova.tv.
Në njërin nga mesazhet, Lajçak shkruan se presidenti i Malit të Zi “po i gëzohet vizitës sonë”.
Epstein i përgjigjet Lajçakut: “Ndoshta ai duhet t’i ofrojë strehim Donaldit”.
Lajçak përgjigjet se “pika e dobët e Donaldit është Mali i Zi”.
Më pas, Epstein i shkruan Lajçakut se ish-avokati i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Michael Cohen, dhe ish-këshilltari i Trumpit, Paul Manafort, “të dy janë fajtorë”, duke shtuar “fillimi i fundit”.
Gjatë bisedës, Epstein i dërgon Lajçakut edhe një link nga New York Times me një tekst për Malin e Zi dhe një fotografi të Kotorrit, ndërsa Lajçak i përgjigjet: “Ta thashë që Mali i Zi është fantastik”.
Epstein e pyet gjithashtu Lajçakun nëse Gjukanoviqi është president apo kryeministër i Malit të Zi, dhe Lajçak i përgjigjet se është president.
Disa nga mesazhet janë shkëmbyer në gusht 2018, ndërsa disa të tjera më 21 shtator të po atij viti.
Lajçak ka qenë, ndër të tjera, kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, kryesues i OSBE-së, i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale, si dhe i dërguar i BE-së për zbatimin e referendumit të pavarësisë së Malit të Zi.
Epstein, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në gusht 2019, akuzohej se kishte krijuar dhe drejtuar një rrjet që i mundësonte shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të dhjetëra vajzave të mitura nga viti 2002 deri në 2005. Disa nga viktimat e miliarderit ishin më të vogla se 14 vjeç, ndërsa veprimet e paligjshme ndodhnin në rezidencat e tij në Nju Jork dhe Florida.
Në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë nuk ka informacione nëse Gjukanoviq është takuar realisht me Epsteinin, as nëse ish-presidenti i Malit të Zi ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.
“A do t’ju përshtatej fundjava e parë apo e dytë e nëntorit për vizitën në Mal të Zi?”
Në një nga mesazhet, Lajçak e pyet Epsteinin nëse do t’i përshtatej fundjava e parë apo e dytë e nëntorit për një vizitë në Mal të Zi.
Epstein i përgjigjet “ta kontrolloj”, dhe Lajçak thotë “OK, më njofto”.
Në një tjetër mesazh, Epstein i thotë Lajçakut se do të donte ta vizitonte me të ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, ndërsa Lajçak i përgjigjet se e pëlqen Lavrovin.
Në vazhdimin e bisedës, Lajçak e pyet Epsteinin: “Çfarë po ndodh me vizitën në Mal të Zi fundjavën e parë të nëntorit?”, ndërsa Epstein i përgjigjet: “Zgjedhjet janë më 6 nëntor, por po përpiqem ta organizoj”.
Lajçak i shkruan: “Nuk u kam treguar ende. Por besoj se do të jenë gati”.














Të tjera
Largoni yndyrën në gjak me këto metoda
Milo Gjukanoviq reagon pasi emri i tij u përmend në dosjet Epstein: As s’e kam njohur e as s’kam pasur komunikimin me të
Avdullah Hoti shmang deklaratat pas Kuvendit të LDK-së