Sot u mbajt ceremonia e lansimit zyrtar të Kërkesës për Propozime për ankandin e parë konkurrues për energji me erë, me kapacitet të synuar deri në 100 megavatë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky ankand do të sjellë më shumë prodhim vendor të energjisë, më pak varësi nga importi dhe çmime më të përballueshme për qytetarët, si rezultat i konkurrencës së drejtpërdrejtë ndërmjet kompanive të kualifikuara.
Ajo theksoi se ky projekt nuk qëndron i vetëm, por është pjesë e strategjisë së gjerë për sektorin e energjisë, e cila synon tranzicionin energjetik duke vepruar paralelisht në tri drejtime: forcimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërtimin e kapaciteteve të pastra dhe modernizimin e rrjetit energjetik për t’i përballuar ato.
Rizvanolli përmendi se vetëm këtë vit, modernizimi i njësisë B2 në Termocentralin Kosova B ka sjellë rreth 85 megavatë më shumë prodhim dhe 12 për qind më pak ndotje. Investime të ngjashme kanë nisur edhe në njësitë e tjera të KEK-ut, me një vlerë totale investimesh prej rreth gjysmë miliardi euro.
“Ne po ndërtojmë të ardhmen energjetike duke sjellë investime të reja përmes projekteve konkurruese për kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme, të cilat i kemi nisur me ankandin e parë solar para dy vitesh. Sot, me publikimin e Kërkesës për Propozime, po e çojmë përpara edhe ankandin e parë të energjisë me erë”, tha ministrja në detyrë.
Ajo tha se ankandi parasheh një skemë mbështetëse 15-vjeçare, ndërsa burimet e energjisë me erë pritet të kontribuojnë veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe muajve të ftohtë, kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë.
Rizvanolli tutje tregoi se deri më tash janë parakualifikuar tri firma: një nga Franca, një nga Gjermania dhe një nga Turqia, e që siç tha, në fund të garës do të fitojë ajo kompani që ofron çmimin më të ulët për megavat-orë të prodhuar.
I ngarkuari me punë në ambasadën Gjermane në Prishtinë, Christian Böttcher, tha se me nisjen e fazës së dytë të këtij ankandi po bëhet hapi i parë drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të pasur dhe më të qëndrueshëm.
Ai theksoi se përmes këtij procesi po ofrohen deri në 100 megavatë kapacitet energjetik, një shkallë e cila do të ndikojë ndjeshëm në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe në zvogëlimin e varësisë së Kosovës nga format tradicionale të prodhimit.
“Duke kërkuar një model konkurrues, Kosova po dërgon një mesazh të qartë se tranzicioni energjetik do të realizohet me mbështetjen e sektorit privat”, tha Böttcher.Ai vlerësoi se kjo është qasja e duhur për të tërhequr investime, për të siguruar efikasitet dhe për të ndërtuar një besim afatgjatë te investitorët.
Përfaqësuesi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC) për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani, tha se ankandi i parë i Kosovës për energji me erë përbën një projekt të veçantë dhe ndër më të mëdhenjtë infrastrukturor duke theksuar se bëhet fjalë për një proces konkurrues të provuar në shumë vende të botës.
Ndërkohë, udhëheqësja e Njësisë për Zbatimin e Projekteve nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, Besiana Qorraj-Berisha, prezantoi projektin dhe detajet e kërkesës për propozime.



Të tjera
Kosova bëhet anëtarja e 154-t e Federatës Ndërkombëtare të Golfit
1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit
Mbappe fiton gjyqin ndaj PSG-së, klubi detyrohet t’i paguajë 61 milionë euro