Kryeziu-Hyseni: LDK-ja dhe PDK-ja lobojnë vazhdimisht kundër interesave të Kosovës në takime me ndërkombëtarët

LDK-ja dhe PDK-ja lobojnë vazhdimisht kundër interesave të Kosovës në takime me ndërkombëtarët

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni, ka akuzuar rëndë opozitën duke thënë se në takimet e tyre me ndërkombëtarët lobojnë kundër interesave të shtetit.

Ajo në RTV Dukagjini, u shpreh se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi e ndjekin këtë praktikë teksa foli specifikisht për një deklaratë të nënkryetarit të LDK-së, Gazmend Muhaxhiri.

“Mos harroni një fakt të rëndësishëm se brenda politikës tonë edhe brenda shqiptarëve ka njerëz që dyshojnë se institucionet tona e kanë bërë punën më së miri, bile ka pasur disa politikanë që kanë thënë se ato armë që po i konfiskojmë në veri ka mundësi që po i qojnë atje vetë. Ka jo pak deklarata të tilla në politikën e Kosovës e që ndikojnë jo pak tek ndërkombëtarët sepse goxha shumë ndikojnë. Gazmend Muhaxheri nuk është vetëm kryetar i Pejës por edhe nënkryetar i LDK-së”.

“LDK-ja dhe PDK-ja lobojnë në vazhdimësi kundër interesave të Republikës së Kosovës nëpër takime të tyre me ndërkombëtarët dhe flasin se sa keq jemi ne”, deklaroi Kryeziu-Hyseni.