Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm për miratimin e buxhetit të vitit 2026 nga Qeveria në detyrë, duke e cilësuar këtë veprim si “akt të paprecedent politik, institucional dhe një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash”.
Në një komunikatë për media, LDK ka theksuar se një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet nuk ka të drejtë të miratojë dokumente të tilla madhore, veçanërisht “vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron vendimin e sotëm për miratimin e buxhetit për vitin 2026 nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet si një akt të paprecedent politik dhe institucional, një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thuhet në reagim.
LDK ka paralajmëruar se çdo tentim për përdorimin e buxhetit si instrument elektoral është i papranueshëm dhe përbën “abuzim me pushtetin dhe shkelje të etikës institucionale”.
Në fund të deklaratës, kjo parti u bën thirrje qytetarëve “të mos bien pre e tentativave mashtruese”, duke theksuar se Kosova ka nevojë për “institucione të ndershme, qeverisje me përgjegjësi dhe transparencë”.
LDK ka shprehur vendosmërinë për të mbrojtur rendin kushtetues, integritetin e institucioneve dhe interesin publik, duke u angazhuar për “rikthimin e besimit qytetar dhe normalitetit institucional” pas zgjedhjeve të ardhshme.



Të tjera
Fillim i vështirë i Zhegrovës te Juventusi, s’ka luajtur fare në gjashtë ndeshjet e fundit
Boronica, aleati që ju duhet për tensionin e diabetin
Krimet ekonomike me operacion në Veternik e vende të tjera për dallavere me prona