Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo e cila po e pengon formimin e një qeverie të opozitës.
“Aktualisht, pozicioni i LDK-së është bllokues. Nuk e mundëson krijimin e qeverisë së opozitës”, është shprehur Haradinaj.
E lidhur në këtë, analisti Gani Qarri thotë se është për tu çuditur qasja e Haradinajt karshi LDK-së dhe zhvillimeve politike.
“Në fakt unë personalisht nuk e kuptojë në asnjë mënyrë, se nga kush e paska marrë Ramush Haradinaj, mandatin me vetëm 3-4 deputet, që ta formojë Qeverinë, ose ky me vetëm 3-4 deputet, partive të cilat kanë mese 3 herë më shumë vende në Kuvend si LDK, tu diktojë se me kënd duhet të hyjnë në koalicion qeveritar, para se LVV si partia me numrin më të madh të votave të fituara, nuk ka deklaruar se ka heqë dorë nga formimi i Qeverisë dhe PDK si partia e dytë, as që ka ardhë në radhë ta provojë edhe ajo mundësinë e formimit të Qeverisë. Madje akti tij habit edhe më tepër, kur dihet se sa i takon formimit të Qeverisë Ramush Haradinaj është vrima e fundit e kavallit, të cilin ndoshta as që do ta pyes kush fare, për formimin e Qeverisë!”, shprehet Qarri.
“Haradinaj është shndërruar në “Mashë” të PDK-së dhe kthyer në personin më tragji-komik në vend, i cili derisa ditën e votimeve, dilte e rrente pa fije turpi se kemi fituar në lartësi “dysifrore”, një ditë pas votimeve shfaqej para kamerave i deprimuar dhe deklaronte se nuk jemi të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë si AAK, për këtë dështim, kurse tani banë turr ta nëpërkëmbë LDK-në, e cila ka 20 deputet apo gati tri herë më shumë se AAK e Haradinajt bashkë me Nisma-në e Limajt, të cilit Ramushi duhet ti falënderohet shumë, se përndryshe, që në këto votime do të kishte rënë nën pragun zgjedhor dhe sot do të ishte duke kënduar me “bishtica” maleve të Deçanit “o ku je moj zhanë”!”, shton Qarri.
“Duke pasur parasysh se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, LDK është bërë çelësi “magjik” për formimin e Qeverisë së re, si nga partia fituese, ashtu edhe në variantin e formimit të Qeverisë nga opozita, Haradinaj po vijon si në “jermi” ta kritikojë LDK-në me synimin e mbrapshtë, që PDK dhe AAK ta sakrifikojnë përsëri LDK- si dikur, për tua plotësuar numrat dhe përmbushur dëshirat; PDK-së ta marrë pozitën e kryeministrit të vendit, kurse AAK-së, me vetëm 3-4 deputet, që Ramushi të katapultohet në mënyrë automatike si “freshident”, post të cilin ai duket se po vazhdon ta ëndërroj me sy hapur”, thekson Qarri.
Ai thotë se synimi kryesor i Haradinajt është posti i presidentit të vendit.
Sipas Qarrit, në rast se LDK pranon të bëhet pjesë e Qeverisë, atëherë duhet të bëhet pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen.
“E në anën tjetër, nëse LDK vendos të hyjë në Qeveri, ajo më së miri do ishte ti bashkohej në koalicion LVV-së, ngase e ka të sigurt mandatin e plotë qeverisës, ku ministrat nga radhët e saj, kanë kohë të mjaftueshme ta dëshmojnë veten me rezultate, suksesi i të cilëve, do ta rriste edhe mbështetjen e elektoratit për LDK-në, ndërsa nga partitë opozitare LDK është lënë, disa herë në baltë, duke prishur koalicionet qeverisëse nga vet ata që e ftonin LDK-në koalicion dhe quar vendin, çdo dy vite në zgjedhje të reja, edhe pa pasur shkas dhe arsye bindëse, për ta prishur koalicionin dhe ndërprerë në gjysmë bashkëqeverisjen”, përfundon analisti Gani Qarri
Të tjera
Grejpfruti – antibiotik natyral
UEFA shtyn vendimin për Milan–Como në Australi
Bislimi dhe Petkoviq në Bruksel