Ka dështuar sot konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi që nuk u miratua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve.
Drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së, po kërkojnë dorëheqjen e Albin Kurti nga pozita e kryeministrit, anipse ky i fundit ka dorëzuar një letër ku shkruan se jep dorëheqje nga ky post para betimit të tij si deputet.
Krasniqi tha se sot u pa që Albin Kurti i ka 52 vota dhe se kjo është fuqia e tij aktuale politike.
“Jam i bindur, prej kësaj që po e shoh sot, me 52 vota që z. Kurti nuk mund ta bëjë qeverinë. Ne jemi të gatshëm, në rast të dështimit të tij menjëherë ta marrim përgjegjësinë me partitë që kanë qenë në të kaluarën në opozitë, dhe me komunitetet pakicë të Kosovës, përveç Listës Serbe, që ta bëjmë qeverinë e re me Bedri Hamzën kryeministër”, tha ai.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kërkoi dorëheqjen e Kurtit.
“Jep dorëheqje zotëri, betohu si deputet, si secili tjetër në Kuvend. Mjaft më me filma e kauza plot mllef!”, ka shkruar Abdixhiku.
I pari i LDK-së tutje ka tnënë se apetiti i madh i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe i prijësit të tyre për të qenë edhe Kryeministër edhe Deputet, prodhoj sot një episod të errët demokratike në vend.
“Të paprecedentë, sepse askush deri më tani, me mendje demokratike e me respekt ndaj Republikës, nuk kishte provuar t’i ketë të dyja funksionet përnjëherë”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se derisa në njërën anë deklarojnë se po japin dorëheqje, në anën tjetër vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e dorëhequra sikurse s’ka ndodhur asgjë e re.
“Sa të pavërtetë; sa jodemokratik! E vërteta megjithatë është krejt e thjeshtë! Duan të blejnë kohë; sepse nuk kanë votë. Me 52 vota tani, ato që edhe i pamë. Pështyesit e moçalit të pështymave, nuk kanë shumicë. I duhet koha për pazare shtesë – të rënda, joparimore, të kushtueshme për këtë Republikë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku shtoi se “aq të kushtueshme sa u kuptua dhe nga mesazhet që i dërgonin njëri tjetrit vet!”
“Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe në letrën që Kurti i dorëzoi sot Sekretariatit të Kuvendit, thuhet se që nga 23 marsi qeveria ka qenë në detyrë.
“Që nga data 23 mars kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçari qeverisë sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KQZ me datë 27 mars 2025 dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar”, thuhet në letër.
Letra vijon “Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së nëntë, po e përcjelli edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartëcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.
Të tjera
Reshje të shiut në Kosovë, policia bën thirrje për kujdes në trafik
Arrestohet 73-vjeçari në Zveçan, policia sekuestron armë dhe municion
Përmes Viberit po kërkohen para në emër të Policisë së Kosovës – një qytetar dërgon 1000 euro