Letra për BE-në ndez debat: Ish-ambasadorja Lama shpjegon pse Kosova meriton heqjen e sanksioneve

Ditë më parë, një numër organizatash të shoqërisë civile në Kosovë përmes një letëre  i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) t’i heqë masat e mbetura ndëshkuese nga viti 2023.

Në letrën drejtuar bllokut evropian, 12 organizata nënshkruese thanë se “jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës”.

“Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhet në letër.

E në lidhje me këtë letër dhe thirrjen ndaj BE-së për heqjen e sanksioneve për “Bota sot” ka folur ish-ambasadorja, Alma Lama.

Sipas saj, këto organizata më shumë sillen me opurtunizëm, se që punojnë dhe veprojnë për interesa të shtetit, e që në këtë rast përmendi bllokadën në Kuvend për disa muaj dhe qasjen e shoqërisë civile ndaj saj.

Mendoj se organizatat e shoqërisë civile në Kosovë duhet të bëjnë atë për të cilën marrin fonde nga BE-ja, të mbikëqyrin punën e qeverisë, t’i kërkojnë llogari asaj për mënyrën sesi punon, ta kritikojnë për sjelljet arrogante dhe tensionet e panevojshme që ka krijuar dy vitet e fundit, që çuan deri te vendosja e sanksioneve nga BE-ja.

Roli i tyre pra është në Kosovë. Disa nga këto organizata e kanë kryer këtë rol, por shumica e shoqërisë civile sillet me oportunizëm. P.sh., 8 muaj bllokadë në Kuvend dhe shoqëria civile veç dy aksione simbolike i ka pasur”, deklaroi ajo.

Krahas kësaj, ish-ambasadorja potencoi se letra ndaj BE-së nuk është e keqe, por që së pari duhet të plotësohen kushtet, në mënyrë që kërkesa të jetë më e sinqertë

Letra ndaj BE-së nuk ka asgjë të keqe, por, me sa di unë, kushtet që duhet të përmbushen janë disa të tjera përveç zgjedhjeve. Kështu që kërkesat duhet të jenë më të sinqerta”, përfundoi Alma Lama