Konjufca: Ukshin Hoti me kurrizin drejt na mësoi e frymëzoi se si duhet atdheu

Lëvizja VETËVENDOSJE! Propozon Glauk Konjufcën për President, fton opozitën për konsensus

Partia Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar sot se do të propozojë zyrtarisht ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si kandidat për President të Republikës së Kosovës, transmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit, zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, të mbajtura pas një bllokade mbi dhjetëmujore institucionale, prodhuan “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës”. Partia thekson se qytetarët u shprehën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve të reja.

Në përputhje me këtë rezultat, VV bën të ditur se pa vonesë janë konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës mbetet zgjedhja e Presidentit. Duke theksuar se për këtë proces kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë, subjekti fitues thotë se ka ndërmarrë disa përpjekje për të arritur një kandidat konsensual.

Sipas deklaratës, janë zhvilluar disa ftesa për takime me subjektet më të mëdha opozitare për të diskutuar emra të mundshëm, por nuk është paraqitur asnjë propozim konkret nga ana e tyre, ndërsa janë refuzuar edhe emrat e ofruar nga VV.

Në këto rrethana, partia ka vendosur të propozojë Konjufcën, duke e cilësuar atë si një figurë me përvojë të gjatë institucionale – ish-kryetar i Kuvendit, deputet i shtatë legjislaturave dhe një nga politikanët më të votuar në historinë e vendit.

Njëkohësisht, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka ftuar sërish opozitën që të propozojë kandidatin e saj, duke ofruar edhe nënshkrimet e nevojshme nga grupi parlamentar i VV-së, nëse kërkohen për procedurë.

“Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të arrihet pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në njoftim.