Lëvizje politike në Malishevë: Bajrush Hoti largohet nga LDK, i bashkohet PDK-së

Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Malishevë dhe ish-kandidati për kryetar të Komunës nga e njëjta parti, Bajrush Hoti, duket se ka bërë një ndryshim në aspektinn politik, duke iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ky veprim i Hotit shënon një zhvillim të ri në skenën politike lokale dhe mund të ndikojë në riorganizimin e forcave politike në prag të zgjedhjeve lokale, përcjell “Bota sot”.

Lajmi për kalimin e tij në PDK nuk është konfirmuar zyrtarisht nga vetë Hoti apo nga subjektet përkatëse, por prezenca e tij në ngjarjen ku u prezantua kandidatura e Gëzim Krasniqit për kryetar të Komunës së Malishevës – një figurë e njohur e PDK-së – flet shumë për qëndrimin dhe orientimin e tij aktual politik.

Kjo paraqitje publike e Hotit përkrah kandidatit të PDK-së shihet si një sinjal i qartë i mbështetjes së tij ndaj kësaj partie dhe si një deklaratë joformale për largimin nga LDK-ja, parti me të cilën ka qenë i lidhur për një kohë të gjatë dhe ku ka mbajtur pozita të rëndësishme.