Lëvizje të re nga Nisma? Deputetja e kësaj partie jep detaje, “zbulon” pozicionin e Limajt

Sot është tentuar për herë të 22-të formimi i Kuvendit të Kosovës.

Ashtu sikur herët paraprake, edhe në ditën e martë për herë të 22-të tentimi përfundoi pa rezultat.

Në seancë kanë marrë pjesë 109 deputetë, nga të cilët 54 deputetë votuan për krijimin e komisionit për votim të fshehtë, një kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, procesi nuk u finalizua.

Gjersa vazhdon bllokada, në media ekzistojnë deklarime se Nisma për Kosovën do të bëj lëvizje të radhës për zhbllokimin e Kuvendit.

Sipas raportimeve, Nisma do të bëjë lëvizje për zgjedhjen e kryekuvendarit në seancën konstituive të Kuvendit.

“Ishte një deklaratë që vie si rezultat I gjendjes pozitive, Kurti e ka të qartë se nuk është kryeministër në largim por në ardhje. Duket se në këtë pike ka lëvizje. Pres që kjo do ndodh nesër ose enjten. Nuk ka kuptim më të vetnumërohet për shikim pare krejt procudurale, e pastaj defacto me idenë që të bllokohet sa më shumë. Mendoj se ka lëvizje edhe të tjera, përpos NISMA-S. Kam përshtypjen se ka lëvizje nga pozicioni I NISMA-s dhe rilexim pozicionesh”, kështu ka deklaruar analisti Sadri Rambaja.

Xhevahire Izmaku, rreth këtyre deklarimeve dhe në rast se ka pasur ndonjë takim të ri mes kreut të Nisma-s, Fatmir Limaj dhe kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Sipas saj, nuk ka pasur ndonjë takim të ri mes Limajt dhe Kurtit, por bisedimet dhe komunikimi politik po vazhdon.

“Së pari, dua të theksoj se Nisma është e përkushtuar për zhbllokimin e Kuvendit dhe për funksionalizimin e plotë të institucioneve demokratike të vendit. Kjo është një domosdoshmëri për funksionimin normal të shtetit dhe për respektimin e vullnetit të qytetarëve. Sa i përket raportimeve për një takim të fundit mes z. Fatmir Limaj dhe z. Albin Kurti, dëshiroj të sqaroj se nuk ka pasur ndonjë takim të ri, por bisedimet dhe komunikimi politik po vazhdojnë. Nisma është e hapur për dialog me të gjitha palët që synojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe respektim të rendit institucional. Në këtë situatë të bllokuar, Nisma është një çelës i vogël, por shumë i rëndësishëm për të dalë nga kriza aktuale. Ne jemi të vetëdijshëm për numrin tonë në Kuvend, por po aq të vetëdijshëm jemi për peshën e vendimeve që kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe lidership të dëshmuar”, deklaroi Izmaku.

Image

Xhevahire Izmaku

Ajo konsideron se Limaj përbën një mundësi reale për të udhëhequr Kuvendin në këtë fazë sfiduese.

“Figura e z. Fatmir Limaj, me përvojën e gjatë politike, me komunikimin e tij të pranueshëm dhe gjithëpërfshirës, dhe me dhuntinë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, përbën një mundësi reale për të udhëhequr Kuvendin në këtë fazë sfiduese. Nuk bëhet fjalë për ambicie pozite, por për një ofertë të sinqertë në funksion të interesit të vendit – sepse Kosovës i duhen institucione funksionale më shumë se kurrë”, pohoi deputetja nga Nisma për Kosovën.

Ngërçi politik në Kuvend vazhdon që nga 15 prilli, atëherë kur deputetët betuan detyrën, por ende nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin, duke mbajtur institucionin në një situatë bllokade.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, i ka bërë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion, por kjo e fundit ka propozuar qeveri gjithërfshirëse.

Në anën tjetër, një opsion tjetër janë zgjedhjet e reja.

E pyetur rreth gatishmërisë së Nisma për Kosovën për zgjedhjet e reja, Izmaku tha se Kosova nuk e ka këtë luks.

Sipas saj, ata janë të përgatitur për çdo skenar dhe në secilin proces do të dalin faqebardhë.

“Sa i përket çështjes së zgjedhjeve të reja, duhet ta themi qartë: Kosova as nuk e ka luksin, e as momentumin për një proces të ri zgjedhor që nuk garanton një ndryshim domethënës në fotografi politike. Një cikël i ri pa reflektim të thellë mund të përkeqësojë gjendjen, jo ta zgjidhë atë. Megjithatë, Nisma është e përgatitur për çdo skenar dhe në secilin proces do të dalë faqebardhë. Ne nuk jemi ata që po e mbajmë vendin të bllokuar – përkundrazi, jemi duke ofruar zgjidhje, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve”, përfundoi Izmaku.