Liderët evropianë kritikojnë vendimin e SHBA-së për naftën ruse

Liderët evropianë kritikojnë vendimin e SHBA-së për naftën ruse

Vendimi i Shteteve të Bashkuara, për të lehtësuar përkohësisht disa sanksione ndaj naftës ruse, ka shkaktuar reagime të forta nga Ukraina dhe aleatët evropianë. Ata paralajmërojnë se ky hap mund t’i japë Rusisë më shumë të ardhura për të financuar luftën dhe të ngadalësojë përpjekjet për paqe.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se nuk ka “asnjë justifikim” për një vendim të tillë. Ndërsa kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e quajti atë “të gabuar”.

Edhe presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, tha se vendimi është “shumë shqetësues”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nga Parisi, paralajmëroi se ky vendim mund t”i sjellë Rusisë rreth 10 miliardë dollarë të ardhura shtesë. Kjo sigurisht që nuk ndihmon paqen, tha Zelensky.

Rusia është tashmë duke përfituar nga rritja e çmimeve të naftës si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Liderët evropianë frikësohen se lejimi i shitjes së më shumë naftës ruse do të rrisë të ardhurat e Kremlinit dhe do të ndihmojë ekonominë e luftës së Moskës.

Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë vendosur që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump kishte vendosur gjithashtu masa ndaj vendeve që blejnë naftë dhe gaz rus, përfshirë konsumatorë të mëdhenj si India. Megjithatë, për shkak të tronditjeve në tregjet globale të energjisë nga lufta mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Uashingtoni vendosi të lehtësojë përkohësisht disa prej këtyre sanksioneve./rtk