Lidhja e Bizneseve: Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku sipas tyre, mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes e ka futur vendin në ngërç të plotë ekonomik.

Në reagim thuhet se ekonomia e vendit po stagnon, investimet po bien ndërsa qytetarët dhe bizneset po e ndjejnë barrën e papërgjegjësisë politike çdo ditë e më shumë.

“Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon më tej bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”.

“Mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat. Shumë borde dhe agjenci shtetërore kanë mbetur me ushtrues detyre, pa legjitimitet për të marrë vendime strategjike, duke paralizuar proceset ekonomike”, thuhet në reagim.

“Kosova po përballet njëkohësisht me çmime të larta të energjisë dhe kosto të shtuara të prodhimit; mungesë investimesh të huaja dhe rreziku për largim të kapitalit ekzistues; ngadalësim të rritjes ekonomike dhe humbje të vendeve të punës; pezullim të dialogut strategjik Kosovë–SHBA, që dëmton rëndë imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit”.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës apelon për përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike, në mënyrë që vendi të rifitojë stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve”, thuhet tutje në reagim.

Lidhja e Bizneseve tha se bizneset në vend kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe klimë të qëndrueshme zhvillimore e jo bllokadë e pasiguri.