Më pak se një javë pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua plotësisht, me kryetarin dhe pesë nënkryetarët, kushtetutshmëria e këtij procesi u vu në pikëpyetje nga Lista Serbe.
Kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë, dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb, Nenad Rashiq, duke pretenduar se janë bërë shkelje kushtetuese dhe të rregulloreve.
Në ankesën e saj, Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.
Nënkryetari nga komuniteti serb u zgjodh më 10 tetor, dhe ky post iu besua Nenad Rashiqit – i vetmi deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Me Kushtetutën e Kosovës, nënkryetari duhet të jetë nga “radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.
Ndërsa, sipas Rregullores, “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.
Gjithashtu, Rashiq u votua veçmas nga nënkryetari tjetër që përfaqëson komunitetet joshumicë – ndryshe nga praktikat e mëparshme, por me miratimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nenad Rashiq dhe sfida për Kushtetutën
“Mund të them se Rashiq nuk e ka marrë nominimin nga së paku gjashtë deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo premisë, mund të konkludohet se ka pasur shkelje kushtetuese në procesin e zgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Ai përmend edhe rastin e Emilija Rexhepit, e cila u zgjodh nënkryetare nga komunitetet joserbe jashtë pakos me kandidatin serb – ndryshe nga praktikat e mëparshme.
Megjithëse situata, sipas tij, duket e qartë, Miftaraj zgjedh të jetë i kujdesshëm në parashikime.
Ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese e sheh si të drejtë legjitime edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Megjithatë, ai e konsideron këtë veprim si të dëmshëm për procesin demokratik në Kosovë, pasi, siç thotë, mund të çojë në pezullimin e punës së Kuvendit.
Baraliu nuk e konsideron të drejtë vendimin e Kushtetueses për zgjedhjen ndaras të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, prandaj thotë se aktgjykimi për ankesën e fundit të Listës Serbe është vështirë i parashikueshëm.
“Nga kjo që po bën Gjykata Kushtetuese, mishmash me vendimet e veta, gjithçka është e pritshme”, thotë ai.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës u zvarrit për gati gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Gjatë këtij procesi, Gjykata Kushtetuese nxori tri aktgjykime bazuar në ankesat e partive, të cilat përcaktuan kushtet dhe afatet për konstituimin e Kuvendit.
Pasojat e mundshme për Qeverinë e re
Sipas Miftarajt, nëse Kushtetuesja vendos në favor të Listës Serbe, situata në Kuvend mund të rikthehet në rrethanat që ishin pas aktgjykimit të 8 tetorit.
“Kjo do të thotë që Kuvendi nuk konsiderohet ende i konstituar. Do ta detyrojë Kuvendin të votojë sërish, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, për një nënkryetar nga komuniteti serb, i propozuar nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti”, thekson Miftaraj.
Ai shton se një vendim i tillë mund të ndikojë edhe në formimin e Qeverisë së re.
“Me të do të binte poshtë nominimi dhe mandatimi i Lëvizjes Vetëvendosje nga presidentja për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, vlerëson Miftaraj.
Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryeministër në detyrë, për formimin e Qeverisë së re.
Afati 15-ditor për këtë proces nisi atë ditë dhe përfundon më 26 tetor.
E, dyshime mbi zgjedhjen e Rashiqit shprehën më herët edhe ekspertë të tjerë, ashtu si edhe përfaqësues të partive ish-opozitare.
“Ne, praktikisht, po hyjmë në një fazë të shkeljes së vazhdueshme të Kushtetutës”, tha kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në ditën kur Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit. / REL



Të tjera
A ndikon mungesa e vitaminës D tek tensioni i lartë i gjakut
Për çfarë fëmijët tuaj nuk do t’ju falin kurrë, shmangni këto gjëra
39 vjeç, mosha kur partneri ka më shumë gjasa t’ju tradhtojë