Lladrovci: Sot në Hagë dalin të vërtetat për heronjtë tanë, lufta jonë çlirimtare nuk njolloset

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se sot në Gjykatën Speciale në Hagë mësohet roli historik i ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen dhe del e vërteta.

“Sot në Hagë, hapen faqet e dëshmive, të vërtetës për UÇK-në, të vërtetat për heronjtë tanë të luftës dhe paqes”.

“Ata që nuk e dinë, mund ta mësojnë rrolin historik në luftën çlirimtare të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe e vërteta e luftës tonë të drejtë të zhvilluar në pajtim me konventat ndërkombëtare”, shkroi Lladrovci në një postim në Facebook.

Ai shkroi se “këto dëshmi të personaliteteve liridashëse në Hagë, do të jenë fakte përballë dezinformatave të kuzhinës serbo-ruse”.

“Lufta jonë çlirimtare nuk njolloset, krerët e luftës tonë çlirimtare janë të pafajshëm dhe lufta jonë ishte e drejtë. Historia e UÇK-së është historia më e ndritur e kombit tonë, pas Epopesë së Skënderbeut. Ju presim të pafajshëm çlirimtarë!”.