Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi më 4 prill, dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mori detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka afat deri më 28 prill, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar mbështetjen e nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të organizohen brenda 45 ditësh.
E në lidhje me zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Sipas tij, partitë politike nuk po tregojnë gatishmëri për të gjet një mënyrë për ta zhbllokuar bllokadën.
“Duke u ndalur në gjendjen e politikave aktuale, Kosova po përballet me botën e vet të brendshme politike, që na çojnë më shumë drejt ndërlikimit të situatës dhe të një politike që dëshmohet me hendekun e thelluar në mes pozitës dhe opozitës, duke i lënë anash interesat e popullit dhe shtetit.
Koha po kalon pa i dhënë kuptim marrëveshjeve në mes partive politike për zgjedhjen e presidentit/es, duke mos gjetur një kompromis të përbashkët dhe duke u treguar të pafuqishëm përballë shpërthimit të një pozitivizmi në të mirën e këtij populli dhe shteti”.
Në këtë pikë, Preqi kritikoi partitë opzitare dhe faktin se ato nuk po japin zgjidhje për çështjen e presidentit, madje as nuk po japin emra konkret të kandidatëve.
“Opozita e sotme me PDK, LDK dhe AAK i ngatërrojnë vetë gjërat dhe rrugët njëra-tjetrës, duke mos mundur të gjejnë zgjidhje dhe gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e kandidatit për president të vendit, edhe pse PDK thotë se i ka kandidatët e saj, por nuk i zbulon emrat e tyre, të cilët do të duhej t’ia votojnë detyrimisht pozita dhe të tjerët.
Tutje, opinionisti u tregua më kritik veçanërisht me PDK-në, ku tha se po tregohet parti joserioze me qasjen e saj.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe synimet e partive me pak deputetë dhe ambiciet e tyre që të kenë kandidatin e tyre për president.
Të gjitha këto, sipas tij, janë lojëra politike dhe nuk është se u interesojnë vuajtjet dhe prolemet e qytetarëve.
“Mirëpo, në mes këtyre shembujve ka edhe shumë shembuj të tjerë nga opozita, prej të cilëve me 5-6 deputetë kanë ambicie dhe kërkojnë që të gjithë të zëvendësohen me ministra dhe, përveç kësaj, e kërkojnë edhe kandidatin e tyre për president të vendit.
Në fakt, asnjëra dhe as tjetra nuk e ndjejnë dhimbjen dhe vuajtjet e këtij populli brenda tyre dhe nuk vuajnë ata në vend të tyre, por pse nuk heqin dorë nga detyrat dhe obligimet që i kanë marrë nga vota dhe besimi i popullit, ndërsa në anën tjetër i shfrytëzojnë djersët e këtij populli pa bërë një punë të mirë e të mbarë dhe në shërbim të tyre”, nënvizoi opinionisti.
Ndër të tjera, opnionisti shtoi se, në këtë situatë që jemi, tani është e nevojshme që të krijohet një klimë e re politike dhe të ketë vullnet bashkëpunimi mes pozitës e opozitës.
“Përndryshe, në një kuptim tjetër, zhvlerësimi i këtij realiteti të shndërrohet përmes një ndryshimi dhe krijimi të një klime tjetër dhe të re politike, duke e bashkuar vullnetin e përbashkët, pozitë dhe opozitë, në veçanti në kauza të rëndësishme, sikur kjo e sotmja në këto rrethana, që të gjendet një modul i pajtuar në mes palëve për zgjedhjen e presidentit/es, që do ta karakterizonte edhe nivelin e kulturës tonë politike, se a jemi pjekur dhe përgatitur për të udhëhequr shtetin tonë demokratik”, përmbylli Dedë Preqi



Të tjera
Barçës i duhen së paku 50 milionë euro për ta transferuar Fisnik Asllanin
Konjufca përfaqëson Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB
Produkti që të jep energji në mëngjes më shumë se sa kafja