Sinani kërkon ndërhyrje ndërkombëtare: Lugina e Preshevës rrezikon zhdukjen

Lugina e Preshevës rrezikon zhdukjen

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka zhvilluar një takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, takim që ajo e ka cilësuar si moment me rëndësi të veçantë politike dhe diplomatike për adresimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sinani ka paraqitur një pasqyrë të detajuar të realitetit në Luginë, duke theksuar se pozita institucionale, shoqërore dhe ekonomike e shqiptarëve është përkeqësuar vazhdimisht. Sipas saj, ndryshe nga avancimi i të drejtave të pakicave në rajon, Lugina e Preshevës mbetet rasti i vetëm në Ballkan ku të drejtat e pakicave po shënojnë regres përmes “diskriminimit të strukturuar dhe izolimit institucional”.

Ajo ngriti si problem serioz moszbatimin e marrëveshjeve të arritura me autoritetet serbe – përfshirë Planin e Çoviqit (2001), marrëveshjen e Trupit Koordinues (2009) dhe planin me 7 pika (2013) – të cilat i quajti dokumente të mbetura vetëm në letër, pa asnjë zbatim konkret për më shumë se dy dekada.Një ndër çështjet më të ndjeshme, sipas Sinanit, mbetet mosnjohja e diplomave të Kosovës, që po funksionon si mekanizëm izolues për të rinjtë shqiptarë dhe po i detyron ata të migrojnë. Ajo po ashtu ka denoncuar politikën e pasivizimit të adresave, të cilën e cilësoi si “pastrim etnik administrativ”, me ndikim dramatik sidomos në Medvegjë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për diskriminimin në arsim, mungesën e teksteve në shqip, ndalimin e arsimit të lartë shqip, si dhe nënpërfaqësimin ekstrem të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë.

Në përmbyllje, Sinani i paraqiti Komisionerit Kamp një sërë kërkesash, përfshirë krijimin e një mekanizmi të posaçëm monitorues për Luginën e Preshevës, angazhimin e OSBE-së në çështjen e diplomave, monitorimin e politikës së adresave dhe nisjen e një dialogu të strukturuar OSBE–Beograd–Preshevë me raporte periodike.

Ajo theksoi se përfshirja më e thelluar e OSBE-së është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe parandalimin e proceseve që rrezikojnë qëndrueshmërinë demografike dhe institucionale të rajonit.