LVV akuzon LDK-në për shkelje të rregullave zgjedhore në Prishtinë

LVV akuzon LDK-në për shkelje të rregullave zgjedhore në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkelje të rregullave zgjedhore. Sipas LVV-së, një aktivist i LDK-së dhe zyrtar në kabinetin e kryetarit aktual të Prishtinës, është parë duke mbajtur një distinktiv me logon e LDK-së pranë hyrjes së shkollës “Faik Konica”.

 

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, paraqitja e zyrtarëve partiakë me simbole të subjekteve politike në qendrat e votimit, përbën shkelje të rregullave zgjedhore dhe mund të interpretohet si presion ndaj votuesve.

“Në këtë rast janë shkelur Rregullat Zgjedhore të miratuara nga KQZ-ja, neni 37 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe neni 8 i Rregullores Zgjedhore 07/2024 të KQZ-së”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas LVV-së, Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu si çdo subjekt apo palë tjetër, do duhej të ishte e shqetësuar për shkeljen e ligjit dhe të rregullores së qartë të KQZ-së. “Vënia në mbrojtje të shkelësve të ligjit, e aq më shumë të zyrtarëve të saj, tregon qartë për qëllimin e këtij subjekti për presion ndaj votuesve:”, thuhet në reagim.

Në fund të reagimit, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e demokracisë dhe të votës së lirë, si dhe në denoncimin e çdo shkeljeje që cenon procesin zgjedhor.