Macron kërkon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç në Francë

Macron kërkon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç në Francë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se dëshiron që qeveria e tij të përshpejtojë procesin ligjor për të siguruar që ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç të hyjë në fuqi para fillimit të vitit të ardhshëm shkollor në shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje. Emocionet e tyre nuk janë për shitje apo për t’u manipuluar, qoftë nga platformat amerikane apo algoritmet kineze”, tha Macron në një video të publikuar vonë të shtunën, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

“Ne po i ndalojmë rrjetet sociale për nën-15-vjeçarët dhe do të ndalojmë telefonat mobilë në shkollat tona të mesme. Besoj se kjo është një rregull i qartë – i qartë për adoleshentët tanë, i qartë për familjet, i qartë për mësimdhënësit,” theksoi ai.

Një numër gjithnjë e në rritje i vendeve perëndimore po kërkojnë të miratojnë legjislacion të gjerë për të mbrojtur të rinjtë nga dëmet e mundshme të rrjeteve sociale, pas ligjit historik të Australisë në dhjetor, i cili ndalon personat nën moshën 16 vjeç të kenë llogari në Instagram, TikTok, Facebook dhe platforma të tjera.

Njoftimi i Macronit erdhi vetëm disa ditë pasi qeveria britanike tha se po shqyrton një sërë masash për të mbajtur fëmijët të sigurt në internet, përfshirë edhe ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për nën-16-vjeçarët.

Ndalimi në Francë po udhëhiqet nga Laure Miller, deputete nga partia Renaissance e Macronit.

Në një intervistë për kanalin televiziv të lidhur me parlamentin francez, Miller tha se qeveria duhet të veprojë sepse aktualisht nuk ka asnjë verifikim real të moshës.

“Ju mund të vendosni çfarëdo date lindjeje dhe të hyni në platformë. Ajo që duam t’u imponojmë platformave, duke zbatuar rreptësisht Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), është verifikimi real i moshës kur hyn në një rrjet social. Kjo ndryshon gjithçka, sepse përdoruesit do të duhet realisht të provojnë nëse janë mbi apo nën moshën 15 vjeç,” tha ajo.

Duke pranuar se gjithmonë do të ketë “mënyra për t’i anashkaluar” kufizimet, ajo shtoi se Franca duhet të paktën të hedhë hapin e parë për mbrojtjen e të miturve në internet.

Pas ndalimit në Australi, më shumë se 4.7 milionë llogari të rrjeteve sociale, që konsideroheshin se u përkisnin personave nën moshën 16 vjeç, janë çaktivizuar ose hequr, tha muajin e kaluar kryeministri australian Anthony Albanese.