Njëzet e gjashtë vende janë zotuar t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie pas luftës, të cilat do të përfshijnë një forcë ndërkombëtare në tokë, det dhe ajër, tha presidenti francez Emmanuel Macron pas një takimi të nivelit të lartë të aleatëve të Kievit të enjten.
Macron tha se ai, udhëheqësit e tjerë evropianë dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy zhvilluan një telefonatë me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, pas samitit të tyre dhe se kontributet e ShBA-së në garanci do të finalizohen në ditët në vijim.
Takimi i 35 udhëheqësve nga “koalicioni i të vullnetshmëve” – kryesisht i vendeve evropiane – kishte për qëllim finalizimin e garancive të sigurisë dhe t’i kërkonte Trumpit mbështetjen që evropianët e konsiderojnë si jetike për t’i bërë të zbatueshme garancit e tilla.
Garancitë e sigurisë kanë për qëllim të sigurojnë Ukrainën dhe të pengojnë Rusinë, e cila nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022, nga sulmi i përsëritur ndaj fqinjit të saj.
“Ditën që konflikti të ndalet, garancitë e sigurisë do të vendosen”, tha Macron në një konferencë për shtyp në Pallatin Elysee në Paris, duke qëndruar pranë Zelenskyt.
Zyrtarët evropianë thonë se paqja duket një perspektivë e largët për momentin, por ata duan të jenë gati sa herë që lufta të përfundojë.
Ata gjithashtu e shohin planifikimin e garancive të sigurisë si një mënyrë për të siguruar Kievin për mbështetjen e tyre dhe shpresojnë që Trump do t’u bashkohet përpjekjeve të tyre, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Të tjera
Shëndetësia dhe arsimi paralel serb duhet të integrohen në sistemin e Kosovës
Ndërpritet shfaqja e një filmi në gjuhën shqipe në Podgoricë
Macron thotë se 26 vende zotohen t’i japin Ukrainës garanci sigurie pas luftës