‘Mallkimi’ ndaj Letonisë vazhdon, Shqipëria rrezikon Botërorin

‘Mallkimi’ ndaj Letonisë vazhdon, Shqipëria rrezikon Botërorin

Shqipëria nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në përballjen ndaj Letonisë, duke barazuar 1-1 në ndeshjen e zhvilluar sonte në Riga, e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës.

Ky rezultat lë pas zhgënjim për kuqezinjtë, të cilët kishin nevojë për fitore në garën për një vend në Botërorin e ardhshëm.

Kuqezinjtë kanë kaluar në epërsi në minutën e njëzet e nëntë, kur një aksion në zonën kundërshtare ka përfunduar me autogol të mbrojtësit Cernomordijs, që e ka devijuar topin në rrjetën e vet pas kontaktit me Rey Manajn. Megjithëse fillimisht është menduar se ishte gol i sulmuesit shqiptar, UEFA e ka regjistruar si autogol.

Pak minuta më herët, në minutën e njëzet e një, Letonia ka pasur mundësinë të kalonte e para në avantazh, por Jurijs Ikaunieks e ka humbur penalltinë, duke shpërdoruar një rast të artë.

Në fundin e pjesës së parë, po i njëjti Cernomordijs që ka shënuar autogol, ka barazuar rezultatin për Letoninë, duke dërguar ekipet në pushim me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, Shqipëria ka qenë më kërkuese dhe ka pasur disa momente me potencial për gol, por ka munguar konkretizimi. As zëvendësimet nuk kanë sjellë ndryshim në lojën e kuqezinjve, ndërsa Letonia është mbyllur në mbrojtje, duke ruajtur barazimin deri në fund.

Ky rezultat është një hap prapa për Shqipërinë, që tashmë e ka edhe më të vështirë rrugën për në Kupën e Botës.