Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha në një intervistë për mediumin kroat, Večernji List se ndikimi rus në veri është rritur pas agresionit rus në Ukrainë.
Deklaratën ai e bazoi në “informacione të besueshme për praninë e inteligjencës ruse në strukturat ilegale.”
“Kemi informacione të besueshme për praninë e inteligjencës ruse në strukturat ilegale në veri të Kosovës. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ndikimi është rritur përmes bashkëpunimit me Serbinë”, tha ai.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
Ai thotë se Kosova dhe Ballkani janë ballafaqur shumë me luftën hibride të udhëehequr nga Rusia dhe Serbia.

Eksperti i sigurisë thotë që rrugët e Rusisë dhe Serbisë janë reduktuar tej mase që të destabilizojnë vendin tonë, mirëpo që Kosova duhet mbajtur raportet e ngushta me aleatët ndërkombëtarë.
“Republika e Kosovës dhe rajoni i Ballkanit, sipas mendimit tim, janë ballafaquar shumë me luftën hibride udhëhequr nga Rusia dhe Serbia. Andaj, deklarata e Ministrit tonë të Mbrojtjes është e drejtë, mendoj unë, duke pasur parasysh sulmet, propagandat, sabotimet dhe dezinformatat që kanë ardhur pikërisht nga Rusia dhe Serbia.
Unë mendoj që rrugët e Rusisë dhe Serbisë janë reduktuar tej mase që të destabilizojnë vendin tonë. Janë konsoliduar institucionet tona, kanë përvojën e duhur dhe vigjilencë të paparë deri më sot. Ajo që është me rëndësi të theksojmë është se mbrohemi si shtet, së bashku me aleatin tonë të përjetshëm, SHBA-të, dhe me partnerët strategjikë nga BE-ja. Ky koordinim dhe bashkëpunim duhet të vazhdojë që të mbrohemi nga këto dezinformata, propaganda etj., ashtu siç po mbrohet Evropa dhe bota demokratike nga kjo Rusia e sotme, dhe në rastin tonë, Rusia dhe Serbia”, u shpreh ai.
Tutje, ai thotë që çdo plan dashakeqës i Rusisë dhe Serbisë, unë mendoj se dështon në rastin e Kosovës, për arsye se NATO është këtu me misionin e saj, KFOR.
“Nuk mendoj që mund ta destabilizojnë më vendin tonë, përveç me propagandë për zhvendosje të vëmendjes, duke ditur problemet që ka Rusia me Ukrainën në atë luftë të përgjakshme atje, dhe Serbia me problemet e saj të brendshme me qytetarët e vet, me ato protesta që nuk mbahen mend deri më sot në Ballkan.
Andaj, unë mendoj që vigjilenca nuk ka alternativë, sepse jemi ballafaquar me këto probleme më përpara. Çdo plan dashakeqës i Rusisë dhe Serbisë, unë mendoj se dështon në rastin e Kosovës, për arsye se NATO është këtu me misionin e saj, KFOR. Reaguesi i dytë është këtu Misioni i BE-së, pra EULEX. Dhe kemi kapacitetet tona të afta për të reaguar në çdo vend të Kosovës, si reaguesi i parë, në bashkëpunim dhe koordinim me reaguesin e dytë dhe të tretë. Kjo sjell qetësi dhe stabilitet te ne”, përfundoi Dashevci
Të tjera
Pastroni mushkëritë duke përdorur këto tre ushqime natyrale
Su*lmet e fundit të Iz*raelit ndaj vendeve të rajonit duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi
Dialogu Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Barduanit dhe ambasadores greke