Mark Rutte do ta vizitojë më 11 mars Kosovën, jo më në rolin e kryeministrit të Holandës, por në atë të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
Kjo do të jetë vizita e parë e Ruttes në Kosovë që kur ai mori drejtimin e NATO-s tetorin e vitit të kaluar.
Rutte do të jetë i shoqëruar nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku do të takohen me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
E sipas analistëve dhe njohëseve të politikës, kjo vizitë nga sekretari Rutte në Kosovë, është një mesazh i qartë për Serbinë, si dhe dëshmi e mbështetjes që NATO ka ndaj Kosovës dhe ruajtjen e sigurisë në rajon.
Qëllimi i sekretarit Rutte
Profesor, doktor Enver Bytyçi, shprehet se qëllimi i vizitës nga Rutte është njohja direkte me situatën ne Kosovë.
“Sigurisht që në këtë vizitë ai ka për qëllim të shohë në vend zhvillimin e ngjarjeve dhe jam i bindur se do të kuptojë se situata në Kosovë nuk është aq tragjike, sa ia bëjnë anti-kosovarët. Është një lajm i mirë fakti që Rutte viziton Kosovën në pozitën e kreut të Aleancës Atlantike. Kjo do të thotë se Kosova është një nga çështjet dhe preokupimet kryesore të kësaj aleance dhe drejtuesve të saj”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Kosova është me fat që Rutte gjendet në këto kohë të vështira në krye të NATO-s.
“Ai është i njohur me veprimtarinë e KFOR-it, por deri më sot vetëm përmes raporteve dhe infove që ka marrë nga vëzhgues të tjerë. Tani ka rastin të shohë në terren se raportet e shkruara pasqyrojnë ose jo realitetin e saktë. Çdo vizitë e liderëve botërorë në Kosovë, si kudo gjetkë, synon të bëjë një lloj hulumtimi për ato që ndodhin, për zhvillimet në rastin konkret në Kosovë. Por në çdo rast vizitat që hulumtojnë zhvillimet reale bëhen në një kohë e në një hapësirë të caktuar. Ndërkohë që hulumtojnë e vëzhgojnë vërtetësinë e njohurive që ata kanë marrë përmes të tretëve. Mark Rutte është një politikan karriere. Kosova është me fat që ai gjendet në këto kohë të vështira në krye të Paktit të Atlantikut. Jo se ai është pro Kosovës. Dhe nuk duhet të jemi naivë e të besojmë se qenka për pasojë kundër Serbisë. Por se i sheh zhvillimet me nuhatje të thellë politike. Priret të jetë objektiv në vlerësimin e ngjarjeve e për pasojë të sjellë qëndrueshmëri në qëndrimet e veta ndaj realitetit të krijuar në Kosovë“, shton Bytyçi.
Ai thotë se qëllimi tjetër i kësaj vizite është inkurajimi për formimin sa më parë të qeverisë së re.
“Vizita e tij ka rëndësi të veçantë, sepse ai përmes kontakteve me drejtuesit e KFOR-it dhe autoritetet e Kosovës do të mësojë se si tashmë shteti, institucionet e qeveria e Kosovës kanë mundur ta shtrijnë sovranitetin edhe në veri të vendit, pikërisht aty ku pjesa më e madhe e KFOR-it është e përqendruar. Ndërkohë Rutte vjen në Kosovë me qëllim që të inkurajojë formimin sa më shpejt të qeverisë së re të Kosovës. Ndoshta vjen edhe me një formulë të krijimit të kësaj qeverie. Sipas meje është interes i sigurisë euro-atlantike formimi i një qeverie të koalicionit të gjerë, me qëllim rritjen e aftësisë vendimmarrëse të kësaj lloj qeverie. Dhe ka mundësi që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të inkurajojë lidershipin e Kosovës në këtë drejtim”.
“Gjithsesi vendimmarrja i takon fituesit të këtyre zgjedhjeve, pra Vetëvendosjes dhe zotit Kurti si kryetar i saj. Por një gjë është e sigurt: – Vizita e Mark Rutte në Kosovë nuk është një vizitë teknike. Është vizitë e nivelit më të lartë politik të NATO-s. Sepse NATO është organizatë e sigurisë euro-atlantike dhe siguria është kryekëput çeshtje thelbësore e politikës. Mesazhi tjetër që përcillet me këtë vizitë lidhet me faktin se NATO do të vazhdojë edhe më tej të jetë garancia dhe përgjegjëse për sigurinë në Kosovë e për rrjedhojë edhe në rajonin e Ballkanit”, shton profesor Bytyçi, sipas të cilit, kjo vizitë është një mesazh i qartë edhe për Serbinë.
“Është kësisoj mesazh për Serbinë, e cila nuk i ka ndërprerë përpjekjet e saj për ta destabilizuar Kosovën. Është mesazh edhe për disa shqipfolës që fërkojnë duart, nëse KFOR-i largohet prej Kosove. As njëra dhe as tjetra nga këto nuk mund të ndodhë. NATO nuk tërhiqet nga Kosova deri në minutën e fundit të krijimit të garancisë për stabilitet, paqe, e siguri në rajonin tonë. Nëse do të tërhiqej, atëherë vendin e saj nuk do ta zinte ushtria serbe, as ruse, por një forcë sigurie e dy-tri vendeve të fuqishme evropiane. Pikërisht kjo nuk i intereson askujt, as NATO-s”.
“Dhe ndërkohë Serbia nuk do të guxojë të drejtohet në Kosovë, edhe pse destabilizimin e saj e ka për dëshirë të patjetërsueshme presidenti Aleksandër Vuçiq, veç tjerash edhe për të tërheq vëmendjen nga zhvillimi i ngjarjeve në këtë vend. Protestat e fuqishme të spostuara tashmë edhe në sallën e parlamentit serb, janë ogur i zi për presidentin e Serbisë. Ndaj dhe ai do të bënte çdo gjë për të krijuar një vatër tensioni në Kosovë ose në Bosnjë-Hercegovinë. Por mesa duket do ta ketë të pamundur një gjë të tillë. Nuk i del as koha dhe nuk mund të ndërmarrë diçka kundër Kosovës, sa kohë që NATO-KFOR-i janë të vendosur për të mbrojtur kufijtë dhe sigurinë e Kosovës“, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.
Dëshmi për mbështetjen e NATO-s ndaj Kosovës

Kurse, analisti Faton Mehmeti thotë se vizita nga Rutte dëshmon edhe njëherë mbështetjen që NATO ka për Kosovën.
“Kjo vizitë është shumë më rëndësi, në veçanti për të rikonfirmuar mbështetjen, praninë e NATO-s për ruajtjen e stabilitetit të Kosovës. Kjo vizitë bëhet pas kritikave të presidentit Trump drejtuar shteteve të Evropës në NATO që të marrin më tepër përgjegjësi dhe kjo vizitë vjen për të theksuar unitetin e shteteve të NATO-s për të ofruar siguri në Kosovë”, shprehet Mehmeti.
“Sekretari Rutte është politikan i dëshmuar dhe njeriu i duhur për këtë pozitë dhe besoj se do të jetë i aftë për të mbajtur të bashkuar NATO-në dhe për te zgjeruar atë më shtete të tjera, në të ardhmen e afërt edhe me Kosovën. Kjo vizitë është me rëndësi për ruajtjen e stabilitetit në rajon”, përfundon Faton Mehmeti.
Të tjera
Kr*imet e ekstremistëve të krahut të djathtë në Austri rriten me mbi 40 për qind në 2025
Petar Petkoviqi refuzon të diskutojë në Bruksel për Luginën, reagon Shaip Kamberi
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon su*lmin iz*raelit ndaj Katarit