Sot u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit të Republikës së Kroacisë. Marrëveshjen e nënshkruan Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, dhe Sekretari i Shtetit i Kroacisë, Tugomir Majdak, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.
Sipas njoftimit të të AUV-it, pas nënshkrimit, Hoxha theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një hap konkret drejt integrimit të mëtejshëm evropian të Kosovës në fushën e standardeve ushqimore dhe shëndetit veterinar. Ndërsa Sekretari Majdak shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë dhe afatgjatë ndërmjet dy vendeve.
“Tugomir Majdak konsiderohet një mik i madh i Kosovës dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht duke mbështetur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në integrimin e saj në organizmat ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Format e bashkëpunimit do të përfshijnë zhvillimin e projekteve në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, bashkëpunim teknik ndërmjet laboratorëve veterinarë, shkëmbim informacioni mbi procedurat e importit dhe qasjen në treg, si dhe pjesëmarrje të përbashkët në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë IPA-në.
Në takim morën pjesë gjithashtu Irena Georgievski, Udhëheqëse e Politikave Bujqësore, BE-së dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, si dhe Petra Badovinac, Udhëheqëse për Bashkëpunim Ndërkombëtar.



Të tjera
Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet në Spanjë
Është përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore
Rinumërimi i plotë i votave në Kosovë është i domosdoshëm