Matja e forcave të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani

Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëri të ditur pse lideri i asaj partie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur për konsultime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Më 31 korrik, Osmani ka zhvilluar një takim me partitë parlamentare. Presidentja e Kosovës, më pas, në konferencën për media tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së tij dhe sugjeroi që gazetarët ta pyesin vetë.

REL i është drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit të kryeministrit Kurti me pyetjen se pse nuk ka shkuar në takim me Vjosa Osmanin dhe si kanë qenë marrëdhëniet e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Kurti në rrjetet sociale ka shpërndarë informacione se më 31 korrik ka drekuar me disa ambasadorë me ftesë të shefit në largim të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Analisti politik, Visar Ymeri, vlerëson se Kurti dëshiron të paraqitet në publik si figura më e rëndësishme politike dhe për këtë nuk iu përgjigj takimit të thirrur nga presidentja Osmani.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, thekson se kjo nuk është hera e parë që ka pasur “mosmarrëveshje” ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, por lëvizja e fundit e liderit të Vetëvendosjes tregon për një “krisje” tjetër në marrëdhënien e tyre.

Një marrëdhënie e tillë, thotë ajo, mund të shkaktojë edhe destabilitet politik.

Çfarë ndikon në marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit?

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Visar Ymeri tregon se mosmarrëveshjet ndërmjet Kurtit dhe Osmanit janë evidente dhe se një nga arsyet për një gjë të tillë është edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i është përmbajtur Vetëvendosjes.

Gërvalla vjen nga radhët e partisë Guxo, e cila u themelua nga Vjosa Osmani, pasi ajo u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2020 për shkak se nuk e mbështeti rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit.

Osmani atëherë ishte kandidate për presidente të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mori mbi 300 mijë vota nga qytetarët. Në prill të po atij viti, ajo u zgjodh presidente falë votave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo, Visar Ymeri thekson se marrëdhëniet e “acaruara” mes Kurtit dhe Osmanit janë ndikuar edhe nga raporti me vendet perëndimore.

Përkatësisht, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti shpeshherë është nën kritika nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të vendimeve që merr, të cilat prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb dhe për shkak të refuzimit të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.