Mbahet konferenca ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, diskutohet për ndikimin e inteligjencës artificiale në administratë

Mbahet konferenca ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, diskutohet për ndikimin e inteligjencës artificiale në administratë

Ministria e Punëve të Brendshme, për të tretin vit me radhë, organizoi konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, e cila këtë vit u fokusua në një temë tejet aktuale dhe sfiduese: “Capacity in Public Administration for or through AI?”.

Kjo temë trajton mënyrën se si inteligjenca artificiale (AI) po ndikon dhe do të ndikojë në ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike, transmeton KosovaPost.

Në njoftimin e MPB-së, thuhet se konferenca synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin thelbësor të Reformës së Administratës Publike (PAR) si një parakusht për integrimin evropian dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Këtë vit, në një kontekst të përshpejtuar digjital, fokusi i diskutimeve lidhet ngushtë me transformimin që sjell AI në qeverisje dhe administratë.

Në fjalën hyrëse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale për përmirësimin e kapaciteteve të administratës publike dhe angazhimin e qeverisë për një administratë profesionale, transparente dhe të orientuar drejt qytetarëve. Ai vuri në dukje se kjo konferencë ndërkombëtare është një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat.

Ministri Sveçla përmendi se qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në reformimin e administratës, duke miratuar ligje dhe strategji që synojnë një sistem meritokratik dhe efikas. Ai gjithashtu theksoi sfidën e integrimit të teknologjisë dhe AI-së në shërbim të qytetarëve, duke ruajtur gjithmonë fokusin te nevojat njerëzore.

Në përfundim, Sveçla inkurajoi pjesëmarrësit të përfitojnë nga kjo konferencë për të avancuar administratën publike të Kosovës dhe i uroi mirëseardhje të gjithë delegatëve ndërkombëtarë.

Zëvendësministri i MPB-së, Bardhyl Dobra, vuri në pah rëndësinë e organizimit të konferencës KosovaPAR 2025, duke theksuar se në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues nga pesë kontinente, gjë që e bën atë një platformë të rëndësishme ndërkombëtare.

Gjithashtu, theksoi se inteligjenca artificiale në reformat e administratës publike duhet të përdoret në mënyrë sa më të duhur. Ai theksoi nevojën për organizimin e trajnimeve për stafin, në mënyrë që AI të forcojë formimin dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Në këtë konferencë, folës kryesor ishte Alistair Croll, sipërmarrës dhe autor nga Kanadaja. Panelistë të tjerë ishin prof. dr. Catherine Althaus, raportuese e konferencës dhe profesore në Universitetin e Uellsit të Jugut (UNSW Canberra), Australi.

Konferenca po zhvillohet sot dhe nesër, përmes 14 paneleve, 2 sesioneve kryesore dhe 1 tryeze të rrumbullakët, me pjesëmarrje nga niveli i lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëria civile, si dhe përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë.