Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se me rastin e fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025, si dhe zgjedhjen për një mandat të ri në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka pranuar një mori urimesh.
“Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz; presidenti i Francës, Emmanuel Macron; kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babish; kryeministri i Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden; ambasadori jorezident i Shtetit të Katarit, Jabor bin Ali Al Dosari; janë në mesin e liderëve dhe përfaqësuesve të shteteve, udhëheqësve të institucioneve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale, përfaqësuesve politikë, aktivistëve dhe veprimtarëve që kanë uruar kryeministrin Kurti”, thuhet në komunikatë.
Krahas vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet, institucionet dhe organizatat përkatëse, elemente thelbësore në urimet e pranuara nga kryeministri Kurti ishin mbështetja për integrimin euro-atlantik, reformat, luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, thekson tutje Kryeministria, e cila i ka bërë publike disa nga letrat e urimit që Kurti ka marrë pas rizgjedhjes në krye të qeverisë.
Në letrën e tij, kancelari Merz i ka thënë Kurtit se “përpara jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese”.
“Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës. Këtu përfshihen edhe përparime të tjera në dialogun e normalizimit të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë. Të jeni i sigurt se Kosova, në këto detyra, ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm në krahun e saj. Ju uroj për vazhdimin e mandatit tuaj shumë fat dhe sukses”, ka shkruar Merz.
Ndërkaq, presidenti francez Macron në letrën e tij drejtuar Kurtit ka thënë se Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. “Prandaj, do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë palodhshëm përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension integral të këtij procesi të afrimit me Bashkimin Evropian”, ka shkruar Macron.
Tutje presidenti francez ka thënë se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar rrugën dhe u takon të dyja palëve të zbatojnë zotimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Gjithashtu, dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh rreth projekteve strukturuese siç është, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do të mirëpresë në vitin 2030”, ka shtuar Macron.



Të tjera
`InTriper`: Shqipëria 2026: Plazhe magjike, kulturë autentike
A e redukton çokollata stresin?
Irani vendos gjashtë kushte për t’i dhënë fund luftës