Barduani: Mbështetja e aleatëve të NATO-s, dëshmi për siguri në rajon

Mbështetja e aleatëve të NATO-s, dëshmi për siguri në rajon

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, priti sot ambasadorët dhe krerët e misioneve të 33 aleatëve dhe partnerëve të NATO-s që kontribuojnë në Forcën e Kosovës, në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë.

Ky takim, i treti gjatë mandatit të gjeneral Barduanit, shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, si dhe mbi aktivitetet aktuale të KFOR-it në mbështetje të përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar.

“KFOR-i ka luajtur një rol vendimtar në kontributin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Falënderoj përfaqësuesit e të gjitha vendeve kontribuese me trupa të KFOR-it për mbështetjen e tyre kyçe në këtë drejtim. Ky është një dëshmi e angazhimit të palëkundur të Aleatëve dhe Partnerëve të NATO-s për stabilitetin rajonal,” nënvizoi gjeneral Barduani.

Komandanti i KFOR-it theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian midis Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme në dobi të të gjitha komuniteteve.

KFOR-i vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm për sigurimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Ky mandat zbatohet në çdo kohë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.