Mbi 150 ushtarë kroatë do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

Mbi 150 ushtarë kroatë do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

Më shumë se 150 ushtarë kroatë po i bashkohen operacionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, një vend siguria e të cilit është e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, mori pjesë në dërgimin e 151 pjesëtarëve të Kontingjentit të 44-të Kroat (HRVCON) që po vijnë në KFOR, operacioni i NATO-s për mbështetje të paqes. Ata do të qëndrojnë atje për gjashtë muaj, raporton HRT.

Gjatë kësaj ngjarjeje, ai komentoi edhe nëse Kroacia duhet të bllokojë hyrjen e Serbisë në BE derisa të mos zgjidhet çështja e të zhdukurve.

“Çështja e të zhdukurve dhe çështja e hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian janë dy gjëra të lidhura. Nuk mund të ndodhë që një shtet të mos ketë zgjidhur çështje bilaterale me një tjetër, ndërsa ai tjetër – në këtë rast Kroacia – t’i japë dritën jeshile për hyrjen në BE. Çështja e të zhdukurve është kyçe në marrëdhëniet Kroaci–Serbi dhe ne presim që Serbia të përmbushë detyrimin e saj,” tha Anushiq.