Shefi i OBSH-së: Mbi 18.500 persona ende kanë nevojë për evakuim urgjent mjekësor nga Gaza

Mbi 18.500 persona ende kanë nevojë për evakuim urgjent mjekësor nga Gaza

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha sot se mbi 18.500 persona ende kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor nga Gaza, duke u bërë thirrje vendeve që të hapin dyert për më shumë pacientë, transmeton Anadolu.

“Javën e kaluar, OBSH-ja mbështeti evakuimin mjekësor të 18 pacientëve dhe 36 shoqëruesve nga Gaza drejt Jordanisë, për trajtim të traumave dhe për kancer, sëmundje gastrointestinale, renale, imunologjike dhe gjendje të tjera serioze”, shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në një postim në platformën amerikane X.

Duke falënderuar Jordaninë për solidaritetin e vazhdueshëm dhe për pranimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë kujdes mjekësor shpëtimtar, ai tha: “Që nga tetori 2023, më shumë se 10.700 pacientë janë evakuuar nga Gaza për trajtim të specializuar në mbi 30 vende. Megjithatë, mbi 18.500 persona, përfshirë 4.000 fëmijë, ende kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor”.

“OBSH-ja u bën thirrje më shumë vendeve të hapin dyert për pacientët nga Gaza dhe që të rikthehen evakuimet drejt Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor”, shtoi ai.

Ushtria izraelite ka vrarë mbi 71.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 171.000 të tjerë në një ofensivë brutale që nga tetori 2023, e cila e ka lënë Rripin e Gazës në gërmadha.

Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet, duke vrarë 442 palestinezë dhe plagosur 1.236 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza