Mbi 2.6 milionë euro kredi në Kosovë pavarësisht kamatave të larta

Mbi 2.6 milionë euro kredi në Kosovë pavarësisht kamatave të larta

Kamatat e larta në Kosovë, nuk e kanë ndalur kërkesën për kredi në Kosovë. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave të Kosovës, në vitin 2025 janë lëshuar kredi të reja mbi 2 milionë euro. Ndërkaq, përfaqësuesit e bizneseve thonë se normat e larta dhe kriteret e ashpra për marrjen e kredive kanë shtuar fenomenin e fajdesë në Kosovë.

 

Në Kosovë, kamatat e kredive janë rritur ndjeshëm vitin e fundit, duke rënduar kështu buxhetet familjare dhe planet e investimeve të bizneseve. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave të Kosovës, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën theksohet se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë lëshuar kredi të reja në vlerë prej 2.684 milionë euro. Siç thonë ata, ky trend në vitin 2026 pritet të mbetet rritës, duke reflektuar kërkesën e vazhdueshme për financim dhe zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit bankar. “Mesatarja e normës se interesit në fund të vitit 2025 për kredi familjare është 6.37%, ndërsa për biznese 7.06%”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Ndërkaq, në Aleancën Kosovare të Bizneseve thonë se këto norma nuk përbëjnë ndihmë financiare, por janë një barrë që rrit varfërinë dhe vështirëson situatën financiare të familjeve dhe fermerëve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznese, Agim Shahini, duke folur për Radio Kosovën thotë se bizneset vendore po mundohen të jenë aktive, produktive dhe të qëndrueshme kundër konkurrencës.

“Kjo kërkon mbështetje financiare dhe e vetmja mënyrë janë bankat komerciale të cilat kanë një interes të lartë dhe institucionet mikrofinanciare dhe kjo e vështirëson situatën e qytetarit, biznesit dhe kohën e fundit fenomeni i fajdesë është aktivizuar sepse janë ashpërsuar kriteret për të marrë kredi”, tha Shahini.

Saxhide Mustafa nga instituti Riinvest, duke folur për Radio Kosovën thotë se normat e larta të interesit të kredive, po i varfërojnë qytetarët.

“Krahas rritjes së inflacionit pa dyshim që ka pasur rritje të normave të interesit në sistemin bankar dhe kjo kur qytetarët ndikohen nga rritja e inflacionit dhe nga pamundësia e cash-it, janë të prirë në kërkesa për kredi në kërkesa për kredit kartela dhe kjo më tutje edhe më shumë e ulë apo e varfëron për shkak të interesave të larta që i kanë edhe kreditë”, tha Mustafa.

Të dhënat e fundit nga Shoqata e Bankave thonë se nga gjithsej 6,666 milionë euro të lëshuara nga sektori bankar, 57.8% të kredive janë për biznese, ndërsa 41.9% janë kredi familjare.

 

–>