Mbi 300 autorë ndalojnë bashkëpunimin me “New York Times” për shkak të paragjykimeve kundër Palestinës

Mbi 300 autorë ndalojnë bashkëpunimin me “New York Times” për shkak të paragjykimeve kundër Palestinës

Më shumë se 300 autorë, akademikë dhe figura të njohura që shkruajnë në seksionin e opinioneve të gazetës amerikane “The New York Times” (NYT) kanë vendosur të mos publikojnë më shkrime derisa redaksia të përmbushë tri kushte që lidhen me raportimin e saj për Palestinën, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim, grupi i autorëve akuzoi NYT-në për “paragjykim kundër Palestinës” dhe për bashkëpërgjegjësi në përhapjen e narrativave që mbështesin luftën.

“Ndërsa palestinezët në Gaza përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe pasojat e bombardimeve, masakrave dhe urisë së shkaktuar nga Izraeli vazhdojnë, përgjegjësia jonë si Perëndim është t’i kërkojmë llogari institucioneve bashkëfajtore për këto krime. Ashtu si prodhuesit e armëve, edhe media është pjesë e makinerisë së luftës dhe prodhon pandëshkueshmëri dhe fanatizëm që e mundësojnë dhe ndikojnë në vazhdimin e luftës”, thuhet në deklaratë.

Autorët akuzuan gazetën se ka “ripublikuar gënjeshtra të hapura të zyrtarëve izraelitë, ka fshehur ose ndryshuar lajme sipas kërkesave të konsullatës izraelite dhe grupeve lobuese proizraelite” dhe se u ka kërkuar gazetarëve të shmangin përdorimin e termave si “masakër”, “spastrim etnik” dhe “territore të pushtuara”.

Sipas deklaratës, grupi prej mbi 300 autorësh nuk do të kontribuojë më në seksionin e opinioneve të gazetës derisa të plotësohen tre kërkesa kryesore: Redaksia të rishikojë paragjykimet kundër Palestinës dhe të zhvillojë standarde të reja redaktoriale për raportimin mbi Palestinën; Të tërhiqet artikulli i ‘New York Times’ me titull “Britmat pa fjalë” mbi pretendimet për “sulme seksuale” nga Hamasi më 7 tetor 2023; dhe Bordi i gazetës të kërkojë nga SHBA-ja të vendosë embargo armësh ndaj Izraelit.

Në fund të deklaratës, autorët theksojnë se refuzimi për të bashkëpunuar me NYT-në dhe kërkesa që gazeta të japë llogari për dështimet e saj është një “detyrim” i tyre.