Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka prezantuar botimin e nëntë të Indeksit të performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, ku u evidentuan disa nga sfidat më të mëdha që po përballen sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor në vend. Ndër to, si më kritiket u përmendën ndikimi politik në drejtësi, mungesa e politikave ndëshkimore, zvarritja e procedurave gjyqësore, niveli i ulët i konfiskimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm dhe mungesa e buxhetit adekuat për institucionet e drejtësisë.
Nga përgjigjet e dhëna nga kjo anketë, rezulton se rreth 76 për qind e qytetarëve vlerësojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Ndërsa, vetëm 22.7% e tyre mendojnë se pavarësisht që personat mund të kenë ndikim politik, të njëjtit kanë gjasa të ndëshkohen në bazë të dispozitave ligjore.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë nën llupën kritike të shoqërisë civile dhe të vlerësimeve vendore e ndërkombëtare.
Arifi: Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë nën llupën kritike të shoqërisë civile
“Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë nën llupën kritike si të shoqërisë civile edhe të vlerësimeve vendore e ndërkombëtare. Më së shumti përmendën mungesa e politika e ulët ndëshkimore, ndikimi politik, zvarritja e procedimit të rasteve dhe niveli i ulët i konfiskimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm. Ne konsiderojmë që të gjitha këto ngecje nuk mund të ndeshën vetëm në organet dhe personat që merren me menaxhimin e tyre, por një pjesë e përgjegjësisë bie edhe te pushteti ekzekutiv e ai legjislativ. Te pushteti ekzekutiv në krijimin e politikave, e këto katër vite kemi pa që politikat kryesore për të cilat qeveria është njohur nuk janë realizuar e ndër to janë Vettingu dhe Byroja për Konfiskim të Pasurisë. Duhet të përmendim edhe rolin e Kuvendit e anashkalimin e kërkesave buxhetore dhe ndarjen jo të mjaftueshëm të buxhetit për trupat që menaxhojnë sistemin prokurorial”, tha Arifi.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, theksoi se sistemi prokurorial po bën përpjekje për të rritur transparencën dhe efikasitetin, megjithëse perceptimi publik mbetet sfidues.
Kelmendi: Sa i përket konfiskimit kanë të drejtë qytetarët dhe duhet të jemi vetkritik
“Sistemi Prokurorial i Kosovës është duke bëtë një punë tepër të madhe për të pasur një transparencë dhe një qasje më ndryshe në raport me publikun. Efikasiteti jonë është 90 për qind të kryerjes së lëndëve të pranuara. Për mua është befasi perceptimi i qytetarëve, diku 71 për qind të respodentëve janë persona që nuk kanë pasur kurrë lëndë në prokurori. Unë vlerësoj shumë mendimin e qytetarëve por vet kjo përqindja dhe pjesëmarrja e tyre në procedurat tona tregon sesa janë ata drejtpërdrejtë të njoftuar për aktivitetet dhe punën tonë si prokurori. Kur flasim për pavarësinë, perceptimi i qytetarëve është se policia është me e besueshme se prokuroria… Sa i përket konfiskimit kanë të drejtë qytetarët dhe duhet të jemi vetkritik, ne nuk jemi ende në nivelin e detyrës. Kur kishim rastin Banjska pjesa më e madhe e tyre ishte konfiskim automatik, mirëpo kur flasim për konfiskimi civil për pasurinë e pajustifikueshme unë kam mbështetur çdo iniciativë në këtë drejtim por mbështetja ime ka mbetur shumë pak e realizuar për shkak se qeveria ka konstatuar se duhet të konfiskohet vetëm pasuria e personave zyrtarë. Ky ligj për byronë duhet të ndryshohet dhe të plotësohet”, tha Kelmendi.
Ndërkohë, Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Vellija, tha se mungesa e buxhetit mbetet një nga pengesat kryesore për përmirësimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.
Vellija: Sistemi gjyqësor ka arritur një progres të mirë kjo nuk ka kaluar tek publiku
“Në rastin konkret i kemi gjashtë për qind të këtyre të pyeturve që kanë pasur punë me sistemin gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër nuk ka qenë pjesë. Përkundër faktit që gjatë viteve të fundit që sistemi gjyqësor ka arritur një progres të mirë kjo nuk ka kaluar tek publiku dhe tash një pjesë e barrës bie tek sistemi gjyqësor. Ne jemi munduar që gjatë kësaj periudhe me pasur bashkëpunim edhe me organizata joqeveritarë e media për të dëgjuar kritikat që keni karshi gjyqësorit. Në secilën gjykatë është caktuar një zyre vetëm për kontakt me publikun e cila është shumë e nevojshme”, shtoi Vellija.
Ndërsa zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, theksoi nevojën që drejtësia të jetë më e dukshme dhe e ndjeshme për qytetarët.
Qorolli: Qytetarët më parë i besojnë politikës sesa sistemit të drejtësisë
“Qytetarët më parë i besojnë politikës sesa sistemit të drejtësisë. Si shoqëri civile dhe ne si akterë institucional duhet të punojmë çdo ditë që ta përmbysim këtë. Ne kemi synuar që të bëjmë një Vetting i cili do t’i rezistoj kohës. Statistikat do të duhej të lënë anash në mënyrë qe drejtësia të matet me ndjenjën e drejtësisë që ka qytetari. Drejtësia nuk duhet vetëm të bëhet ajo duhet të shihet se po bëhet, por a është mjaftueshëm e pashme, e vrejtshme, por po shihet se nuk po shihet sa duhet kjo drejtësi. Ne kemi bërë një gjë kolosale si ministri e drejtësisë, kemi hartuar një draft ligj dhe kemi përfunduar që është për gjykim në kohë të arsyeshme. Ky ligj që tashmë pret miratimin e kuvendit të ri do të kërkoj kompensim ku drejtësia vonohet pa arsyeje”, tha Qorrolli.
Sipas GLPS-së, sfidat strukturore, mungesa e burimeve financiare, ndikimi politik dhe mungesa e politikave të qëndrueshme vazhdojnë të pengojnë përparimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ndërsa besimi i qytetarëve në drejtësi mbetet në nivele të ulëta.
Ne anketën e realizimit të vlerësimit të qytetarëve për institucionet e drejtësisë janë përfshirë 1065 qytetarë.
Pëlqejeni këtë:
Pëlqejeni Po ngarkohet…
Të tjera
Hajdutët arratisen me vinç dhe motor pas grabitjes së bizhuterive 88 milionë euro
“S’është kollaj”, “biseda intensive”, mesazhe kontradiktore nga VV teksa Kurtit po i skadon afati për formimin e qeverisë
Vuçiq ushtroi presion ndaj serbëve të Kosovës përmes frikës dhe aparatit shtetëror në zgjedhjet lokale