Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Njerëz, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrolli ndaj bizneseve që operojnë si qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë aksionit janë inspektuar gjithsej 123 subjekte ekonomike, prej të cilave 73 qendra masazhi dhe 50 lokale me muzikë nate.
Nga kontrollet, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka marrë masën e mbylljes së përkohshme të 12 operatorëve ekonomikë në nivel vendi. Shkeljet kryesore të konstatuara ishin:
Mosregjistrimi i bizneseve
Mungesa e pëlqimit / aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike
Po ashtu, janë shqiptuar 14 masa ndëshkuese ndaj bizneseve që ushtronin veprimtarinë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ministria ka bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se ndaj çdo shkeljeje të evidentuar do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë dhe masa të tjera ndëshkuese.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka theksuar se këto veprime janë pjesë e angazhimit për rritjen e sigurisë së konsumatorit, parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe forcimin e rendit në tregun e shërbimeve.



Të tjera
Dua Lipa mahniti tifozët në Maracanã gjatë derbit Fluminense-Flamengo
Zgjedhjet shtyjnë buxhetin e vitit të ri – dy muaj të parë të 2026-tës me shpenzime të garantuara
Balluku dhe vartësit caktuan fituesit e tenderëve në tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe