Të shtunën e 31 janarit pozita e Lumir Abdixhikut në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të jetë në duart e 354 delegatëve të kuvendit të partisë, aty ku Abdixhiku si kryetar aktual do të kërkojë votëbesimin.
Kjo datë për mbajtjen e kuvendit si organi më i lartë vendimmarrës i partisë, doli pas takimit rreth katër orësh që zhvilloi kryesia e Lidhjes Demokratike pasditen e sotme.
Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, tha se në këtë takim të gjatë pati një diskutim të hapur e demokratik.
“Duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme, natyrisht duke filluar nga një analizë për rezultatin në zgjedhjet e fundit, dhe duke kulmuar sipas kërkesës së vetë kryetarit Abdixhiku, siç është deklaruar këtu në këtë sallë me 28 dhjetor, do të ftohet kuvendi si organi më i lartë vendimmarrës i LDK-së me 31 janar. Në këtë kuvend ai do të ofrojë dorëheqjen e tij për të lënë pastaj të lirë kuvendit të vendosë edhe për këtë çështje edhe për çështje të tjera dhe për diskutime të tjera që mund të ngritën në atë kuvend si organi më i lartë vendimmarrës i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Mustafa që doli në konferencë për media para gazetarëve.
Zëdhënësi i LDK-së ka folur edhe për procesin e rinumërimit të votave për kandidatë në gjithë Kosovën pas evidentimit të manipulimeve të votave dhe aktivizimit të Prokurorisë.
Ai ka thënë se këto janë shkelje të rënda e përgjegjësit duhet ndjekur penalisht, derisa ka ripërsëritur shefin e tij në parti, se do të ketë pasoja politike për ata anëtarë të LDK-së që rezultojnë nga hetimet se janë pjesë e procesit të kundërligjshëm.



Të tjera
Fëmijët e shtatorit janë më inteligjentë
Kosova dhe Kanadaja forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe industrial
Statovci e bindur se Osmani do të jetë prapë presidente: Opozita të jetë konstruktive