Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, deputet i Kuvendit, Enver Hoxhaj, mori pjesë në edicionin e sivjetshëm të Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë evropianë dhe ndërkombëtarë, përfshirë kryediplomaten e Bashkimit Evropian Kaja Kallas dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Gjatë qëndrimit në Mynih, Hoxhaj u takua gjithashtu me deputetë të Bundestagut gjerman, si dhe ministra e ish-ministra të jashtëm nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, me të cilët ka bashkëpunuar që nga periudha kur drejtonte diplomacinë kosovare.
Në fokus të takimeve ishte avancimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimi i saj euro-atlantik.
Në një video-mesazh të publikuar nga Mynihu, Hoxhaj theksoi rëndësinë e forumit për diplomacinë globale dhe për Kosovën.
“Konferenca e Sigurisë në Mynih është ndër forumet më të rëndësishme të politikës së jashtme në botë. Këtë vit, ashtu sikur vitet e kaluara, isha i ftuar të marr pjesë dhe pata mundësinë të takoja miq të Kosovës dhe liderë nga vende të ndryshme, me të cilët kam bashkëpunuar kur isha Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër. Shumë prej tyre kanë luajtur rol kyç në mbështetjen e Kosovës drejt njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimeve të saj. Gjatë takimeve, diskutuam për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për drejtimet që po merr Evropa. Ky ishte një moment i rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin dhe për të ndërtuar ura të reja ndërkombëtare.”, ka thënë Hoxhaj.
Ai, gjithashtu ka shkruar se Në Mynih, ishte pranë me aleatët “që kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet kyçe, për Kosovën në Evropë dhe më të pranishme në botë.”
Gjatë ditës së djeshme, Hoxhaj u takua edhe me kryediplomaten evropiane, Kaja Kallas, me të cilën diskutuan domosdoshmërinë që Kosova të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë evropian. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Takimi me Jens Stoltenberg u vlerësua si mundësi për të riafirmuar partneritetin e ngushtë me NATO-n dhe rolin e saj në sigurinë e Kosovës dhe rajonit, ndërsa diskutimet me ligjvënës gjermanë u përqendruan në mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për integrimin euro-atlantik të Kosovës.



Të tjera
Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit
“Edi Rama na kallëzoi ‘sekretin’ për Vjosa Osmanin rreth Speciales, e zuri në befasi atë” – Mushkolaj: E pashë si mbështetje për Osmanin
Presidenti italian uron Osmanin për pavarësi: Roma mbetet e palëkundur në mbështetjen e rrugëtimit të integrimit evropian të Prishtinës