Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve, duke e cilësuar rezultatin si të dhimbshëm, por duke theksuar se ai është verdikt i qytetarëve që duhet respektuar, transmeton KosovaPost.
Në një mesazh drejtuar anëtarëve, qytetarëve dhe mbështetësve, Abdixhiku tha se viti po mbyllet ndryshe nga pritjet dhe se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që ai dhe LDK-ja kishin synuar.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam. Ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh, por është verdikti i qytetarëve tanë dhe para këtij vendimi përulemi me respekt”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë besuar dhe kanë punuar me përkushtim për LDK-në, duke pranuar se zhgënjimi është i pranishëm, por se besimi në Kosovë, demokraci dhe të ardhmen e vendit nuk duhet të shuhet.
Ai ka bërë të ditur se ky është edhe një moment reflektimi personal, duke theksuar se ka bërë gjithçka që ka ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe përkushtim, por se jo gjithmonë edhe maksimumi mjafton.
“Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha”, ka shtuar Abdixhiku, duke nënvizuar se pavarësisht zhvillimeve të ardhshme, ai do të mbetet në shërbim të vendit.
Në fund, kreu i LDK-së ka ndarë edhe një mesazh personal, duke thënë se në natën e ndërrimit të motmoteve do t’ia kushtojë kohën familjes dhe dy vajzave të tij, të cilave tha se u ka borxh më shumë prani.
Ai u ka uruar qytetarëve dhe familjeve të tyre një Vit të Ri të mbarë, duke shprehur shpresën për një vit më të drejtë, më njerëzor dhe më të butë për Kosovën.
“Gëzuar 2026! Zoti e bekoftë atdheun tonë”, ka përfunduar Abdixhiku.



Të tjera
Nga grupi që kreu su*lmin janë zbuluar edhe dy raste të tjera të rënda
Asamblisti i LVV-së Selman Sokoli thotë se u sulmua fizikisht në një qendër tregtare
Vetitë që nuk i keni ditur për mjaltën